Protesta e 23-të e opozitës para Bashkisë së Tiranës, Këlliçi thirrje SPAK: Hetoni dosjen “5D”

Opozita zhvilloi protestën e 23-të para Bashkisë së Tiranës këtë të enjte (29 gusht). Edhe në këtë protestë, përfaqësuesit e saj kërkuan dorëheqjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë fjalës së tij. Belind Këlliçi i bëri thirrje prokurorëve të SPAK të hetojnë çështjen e inceneratorit të Tiranës si edhe dosjen “5D“.
Sipas tij, opozita disponon të gjitha dokumentet që, sipas tyre, provojnë implikimin e Veliajt në afera korruptive.
Edhe në këtë protestë të radhës, përfaqësuesit e opozitës akuzuan SPAK se po amniston Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që ky institucion po përdoret sipas tyre për të goditur opozitën, duke iu referuar masës së “arrest shtëpie” vendosur ndaj Kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Pas 60 minutave protestë, përfaqësuesit e opozitës thanë se protesta e radhës do të mbahet sërish të enjten e javës së ardhshme.
/rtsh.al/