Berisha: Për fëmijën e tretë deri në 23 vjeç shpenzimet do të mbulohen nga shteti

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me gratë në Tiranë. Gjatë fjalës së tij Berisha bëri edhe prezantimin e programit të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Berisha tha se për fëmijën e tretë deri në 23 vjeç shpenzimet do të mbulohen nga shteti.
“Do japim bonus për fëmijën e parë 70 euro. Bonus për fëmijën e dytë, 60 euro. Për fëmijën e tretë do jenë nga lindja gjer në 23 vjeç, të gjitha shpenzimet e shtetit. Po kështu për fëmijën e katërt. Pra, do përpiqemi të trajtojmë me seriozitetin më të madh problemet e krijuara të familjes”, tha Berisha.
Berisha theksoi po ashtu se “gruaja që nuk ka punuar, do ketë 200 euro”.
“Minimumi jetik do vendoset për ato që kanë punuar dhe ato që nuk kanë punuar. Nuk ka shqiptar që nuk do marrë 200 euro, kjo është paga e mbijetesës. Do shpërndahen këto të ardhura. Do ketë një shpërndarje të drejtë”, tha Berisha.
Berisha shtoi po ashtu se “do bëhet gjithçka, një politikë e mbështetur fuqishëm për rikthimin e emigrantëve në Shqipëri dhe për një lindshmëri më të madhe në këtë vend është jetike për shpëtimin e Shqipërisë”.
Berisha tha se “ne kemi vendosur një politikë demografike shumë të fortë”.
“Prandaj prioriteti i të gjitha prioriteteve do jetë instalimi i një politike të fuqishme demografike”, tha Berisha.
“Ky program është absolutisht një mundësi për çdo shqiptar që do të jetojë në këtë vend me djersën, mundin, mendjen, energjinë dhe fuqinë e tij krijuese”, u shpreh Berisha. /j.p/