Berisha: Do ofrojmë vendosjen e paneleve diellore me mbështetjen e qeverisë

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale ku iu përgjigj pyetjeve në lidhje me programin e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në lidhje me sektorin energjetik, mes të tjerash Berisha premtoi se do u ofrohet shqiptarëve vendosja e paneleve diellore me mbështetjen e qeverisë.
“Propozimi ynë është ky: ne zbresim rrymën elektrike në 7 lekë kilovati, i cili është sot 8.5 lekë apo 9 lekë. Së dyti ne do u ofrojmë shqiptarëve kudo që janë vendosjen e paneleve diellore me mbështetjen e qeverisë, për të cilën ata do paguajnë 3 vite energjinë e prodhuar prej tyre si tarifë energjie. Pas tre vitesh do kenë energji falas në shtëpitë e tyre”, tha Berisha.
Berisha premtoi po ashtu se brenda mandatit të parë merr përgjigje përfundimtare çështja e pronësisë dhe se legalizimet do të jenë falas.
“Gjatë mandatit që vjen, çështja e pronësisë do marrë përgjigje përfundimtare. Në 12 vite janë zgjidhur gjithsej 800 dosje pronësie, në 4 vite unë garantoj pronarët, se çdo pronar ose do të marrë tokën që ka patur, ose do të kompensohet me tokë, apo me vlerë tregu të saj, me para. Të gjitha legalizimet pa përjashtim do të jenë falas pa asnjë lek, dhe lejet e legalizimit do të shndërrohen në tapi në 11 ditët e para të qeverisë së ardhshme”, u shpreh Berisha.
“Ne nuk bëjmë kurrë urbanizimin para legalizimit, ne bëjmë legalizim para urbanizimit dhe në këtë kontekst legalizimi do të jetë falas dhe çdo dokument leje, legalizimi që ju dispononi do të njihet si tapi me një dekret të veçantë”, tha Berisha.
Berisha duke iu përgjigjur qytetarëve tha më tej se fëmijët autikë përjashtohen nga detyrimi për t’u paraqitur çdo vit në KEMP.
“Natyrisht një diagnozë e tillë, përjashton plotësisht detyrimin për t’u paraqitur çdo vit në KEMP, në vlerësimin tim”, tha Berisha.
Ndër të tjera Berisha tha se garanton çdo punonjës të administratës që punon në përputhje me ligjet e vendit se do konsiderohet një shërbëtor i çmuar i shtetit. /j.p/