E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama ironizon takimin e PD-së në Korçë: Ilir Vrenozi, i vetmi lider që mund ta udhëheqë kënetën


TIRANË, 23 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste iu përgjigj me ironi sot deklaratave të demokratit Ilir Vrenozi dje nga Korça, gjatë takimit të Partisë Demokratike.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama tha se demokratët e Korçës do të vendosin vetë në 11 maj nëse do të zgjedhin mes Shqipërisë në BE dhe Korçës në kënetë.

“Dje e morën vesh të gjithë besoj pse Latifi i Trump u takua ca ditë më parë me Vrenozin e Korçës dhe sot besoj po ashtu se askush nuk ka më çfarë të thotë as për arsyen e kërkesës sime që u duk e çuditshme për kafe me Ilir Vrenozin. Që kur e pashë takimin e Vrenos me Tifen më dogji, e kapa që Latifi kishte kuptuar atë që unë e kam kuptuar kohë më parë: bufi nuk tërheq më, Ilir Vrenozi është i vetmi lider që mund ta udhëheqë kënetën pa u bërë qesharak me ato premtimet që po gajasin dynjanë dhe as për gjynah për ato rrjedhjet e shpeshta të fjalimeve çdo ditë”, u shpreh Rama.

Rama tha se “dje Vrenozi e mori drejtimin real të kënetës në qarkun e Korçës, ku për të më goditur mua, rivalin e tij të drejtpërdrejt nesër edhe në rang kombëtar, madje lëshoi nga goja programin real të kësaj partie, e ngriti peshë turmën fanatike, siç kishim kohë pa e parë, njësoj si në kohërat kur bufi i printe me histeri në habitatin e vet”.

“Ajo turmë deri mbrëmë ishte thjesht ujë i e ndenjur me zhurmë bretkosash, kur dëgjoi Vrenozin shpërtheu. Ky zhvillim i ri dhe i fuqishëm në frontin e kënetës e bënë shumë më të qartë zgjedhjen e 11 majit, duke filluar pikërisht nga Korça, Parisi i vogël i serenatave ku Vrenozi i hyn garës si një hipopotam në një dyqan qelqurinash dhe u ofroi korçarëve modelin e vërtetë shembullor, shumë të sinqertë të kënetës madhështore”, tha Rama.

Rama tha se demokratët qytetarë të Korçës do ta gjykojnë vetë dhe do ta vendosin vetë se çfarë duhet të ndodhë më, që ata të bëjnë atë që duhet me votën e vetë në 11 maj, kur të zgjedhin mes Shqipërisë në BE dhe Korçës në kënetë.

“Por ama bluza e Vrenozit dje e kishte mesazhin qartësisht madhështor. Mbi të shkruhej çka i thoshte të gjitha për ata ‘që duan të kuptojnë: Boss. Ai është sot de facto ‘the boss’, bosi i ri i të gjithë atyre që nuk do të ikin nga këneta përpara se ta shohin Vrenozin de juro në krye, fillimisht në Korçë dhe  pastaj mos u çudisni fare edhe në fronin e bufit plak, në Tiranë”, tha Rama.

Rama tha se PD i la Korçës Vrenozin që ta bëjë madhështore. “Shih e bëj Korçë, Pogradec, Devoll, Maliq, Pustec, por vetëm me shaka mos e merr aleancën e Vrenozit të Korçës me Latifin e Trump”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›