E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama inspekton Urën e Bilçës në Berat: Lehtësi lëvizjeje për banorët e portë e prurjeve turistike


TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste inspektoi sot Urën e Bilçës në Berat, një segment tashmë i përfunduar, me të gjithë parametrat urbanë.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo, Rama pa nga afër punimet që janë kryer në këtë rrugë, ndërsa zhvilloi një takim edhe me banorët e zonës.

Rama u shpreh se Ura e Bilçës është me të gjithë parametrat e duhur duke nisur nga ndriçimi, trotuaret e dedikuara për këmbësorët nga të dy anët etj.

“Bashkë me investime të tjera si Bypasi, rruga e Ballabanit, do të çlirojnë ndjeshëm trafikun e lehtësojnë jetesën e banorëve”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se Ura e Bilçës lidh fshatrat Bilçë, Malinat dhe Zhitom i Vogël, si edhe krijon një lidhje me rrugën e fshatit Drobonik dhe me të gjithë fluksin e mjeteve që do të qarkullojnë nëpërmjet aksit Berat- Ballaban- Përmet- Gjirokastër- Greqi, duke u bërë kështu një portë e madhe e prurjeve turistike drejt Beratit të rilindur mijëravjeçar.

Ndërsa Demo theksoi se “banorët  e kanë patur urën një mit, që nga vitet ’60 dhe nuk e besonin kur do fillonte projekti”.

Sipas tij, ky është një projekt i jashtëzakonshëm. “Ura është e konceptuar me parametra evropianë që është dhe pjesë e shëtitores së Beratit sepse edhe bajpasi përdoret gjatë orëve të pasdites për të bërë xhiro në luginën e Tomorit”, u shpreh ai.

Demo nënvizoi se në këtë zonë ndërthuren 4 projekte infrastrukturore, të cilat janë zhvilluar paralelisht me njëri-tjetrin.

“Rruga që shohim gjurmën që është në kodrat e Bilçës, në fakt lidhet me rrugët që vijnë nga Ballabani. Kjo është gjëja më e rëndësishme që e krijon këtë aks, sidomos për të çliruar më pas trafikun që vinte i gjithë nga Ballabani, do kalonte në Goricë. Gorica do kalonte në kolaps prandaj lidhja e këtyre projekteve ka qenë koha perfekte, për sa i përket zhvillimit të disa projekteve që të vinin pastaj, në një aks totalisht të ri, duke filluar me projektin e bajpasit në 2021, më pas me projektin e urës në 2022, e pastaj me rrugën që lidhet me Ballabanin dhe ndërkohë Ballabani mbaron këtë vit. Domethënë janë 4 projekte, të cilat në kohë janë menaxhuar në mënyrë perfekte”, tha Demo.

“Kjo ka dalë një gjë e jashtëzakonshme për të gjithë banorët. Imagjinoni, që të gjithë banorët në krah të Osumit për të ardhur në Berat, duhet të shkonin jashtë Beratit përpara për t’u rifutur përsëri në Berat”, shtoi ai.

Transformimi urban i Beratit po vijon në rrugë, lagje dhe sheshe përmes ndërthurjes të një sërë projekteve, të cilat lehtësojnë ndjeshëm komunikimin e njerëzve dhe automjeteve.

1 nga 4

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›