Berisha: Prej tetë muajsh ndalohet ngritja e komisioneve hetimore parlamentare

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se prej tetë muajsh është bllokuar ngritja e Komisioneve Hetimore në Kuvend.
Në një takim me drejtuesit dhe koordinatorët politikë të PD-së, Berisha u shpreh se “qytetarët duhet ta dinë se ne shkojmë në një parlament të pushtuar”.
“Në Kuvend opozita shumëzohet me zero në të gjitha funksionet e saj kushtetuese. Imagjinoni se si mund të kryejmë ne detyrimet si deputetë, kur përjashtohemi nga çdo lloj informacioni apo dokumenti. Por ky është realiteti”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “në parlament, prej tetë muajsh ndalohet ngritja e komisioneve hetimore parlamentare”.
“Me të drejtë qytetarët presin që ne të ushtrojmë funksionin themelor që kemi, transparencën dhe kërkesën e llogarisë. Kjo është e pamundur, përdorimi i mekanizmit parlamentar. Në parlament, Gjykata Kushtetuese shumëzohet me zero. Kjo është situata, kjo është gjendja. Dhe në këtë situatë është vetëm opozita”, u shpreh Berisha.
/m.m/a.f/r.e/