E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Qëllimi ynë më i madh, e drejta e shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “e drejta e shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë, është qëllimi më madh i yni”.

Në një konferencë për mediet, Berisha informoi se dje u kthye nga Brukseli ku mori pjesë në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, organizatë që grupon 87 parti politike të qendrës së djathtë dhe konservatore nga të gjitha vendet e botës.

“Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë. Denoncimi i farsës më të shëmtuar elektorale, të 34 viteve të fundit, farsës së zgjedhjeve të 11 majit 2025”, tha ai.

Berisha tha se ky ishte një rast i artë për të bërë avokatinë e votës së vjedhur të qytetarëve shqiptarë, para lidershipit ndërkombëtar të qendrës së djathtë dhe forcës konservatore.

Në këtë kuadër, ai nënvizoi se raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë, OSBE-ODIHR, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës, janë një dokument jashtëzakonisht i çmuar.

“Por faktet tronditëse të marra nga ky raport dhe gjetjet tona u paraqitën në seancën plenare, të debateve për gjendjen në botë, dhe zgjuan indinjatë dhe dënim nga të pranishmit, të cilët kuptuan se gjendja në Shqipëri, ishte gjendja e një narkodiktature e ngjashme me Venezuelën e Maduros, apo regjime të tjera të ngjashme të drogës dhe krimit”, tha ai.

Berisha tha se “ky hap i parë shumë i rëndësishëm në mbrojtje të votës është edhe një vazhdimësi dhe një sukses tjetër në realizimin e qëllimit tonë”.

“Beteja për mbrojtjen e votës, është një betejë që do zhvillohet në Shqipëri, por do zhvillohet dhe jashtë saj, por zgjedhjet janë një proces që janë sa kombëtar, aq dhe ndërkombëtar. Ne jemi të angazhuar të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur, për të rikthyer të drejtën e shqiptarëve për të votuar si qytetar të lirë. Ky është qëllimi më madhor i PD-së dhe opozitës së vërtetë shqiptare”, shtoi ai.

/m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›