E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Raportet ndërkombëtare, nekrologji e farsës elektorale të 11 majit

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se “raportet e OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian janë nekrologjia e farsës elektorale të 11 majit”.

Gjatë mocionit me debat në Kuvend për gjetjet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, Berisha u shpreh se “ky ishte një proces në të cilin shteti elektoral përdori të gjithë burimet e tij njerëzore, financiare, logjistike për të blerë votën e shqiptarëve dhe për të kontrolluar vullnetin e tyre”.

“Ishte një proces, si kurrë ndonjëherë më parë, falangat kriminale të patronazhistëve dhe aktivistëve të partisë së krimit, që paguhen nga qytetarët shqiptarë për shërbime, punonjës të administratës, zyrtarë, drejtorë, hajdutë, makutë, që tani janë edhe këtu, përdorën të gjithë fuqinë e pushtetit, të gjitha mjetet e pushtetit për të kontrolluar vullnetin politik të qytetarëve shqiptarë”, shtoi ai.

Berisha theksoi po ashtu se “fuqia ekzekutive e shtetit u përdor në dhjetëra mijëra raste për punësime, leje ndërtimi, leje legalizimi, certifikata pronësie”.

Në 11 maj, sipas tij, u shkelmuan të gjitha parimet për zgjedhjet e drejta dhe u falën dy ditë para zgjedhjeve 2 miliardë euro gjoba dhe kamata.

“Iu dhurua për votë 760 mijë pensionistëve, 100 euro secilit. U shpërndanë licenca për mbjellje kanabisi 28 mijë hektarë, kundrejt 200 hektarëve që parashikonte ligji. Ishte një proces në të cilin Troplinët, Çelët, Bajrët, bandat me radhë në rrethe, me hanxharët e krimit dhe paratë e krimit, sollën në parlament 28 deputetë”, shtoi ai.

Berisha shprehu mirënjohjen ndaj 300 vëzhguesve nga dhjetëra vende, të cilët firmosën tre raportet, të OSBE/ODIHR, të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, të cilat sipas tij, “janë nekrologjia e farsës elektorale në Shqipëri”.

Berisha siguroi se “PD do të rikthejë votën e lirë”.

“U bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë çështjen e votës së tyre. I garantoj se do bëjmë gjithçka për të përmbysur këtë regjim dhe rikthyer votën e lirë shqiptarëve. Ju kurrë nuk fitoni zgjedhjet në qoftë se nuk do organizonit 4533 aktivitete; nëse nuk do falnit 2 miliardë euro gjoba dhe kamata; nëse nuk do u jepnit 760 mijë pensionistëve 100 euro; nëse nuk do angazhonit kartelet e drogës”, tha ai.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›