Berisha: Raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë faktoi farsën elektorale

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet tha sot se raporti përfundimtar i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit “faktoi farsën elektorale”.
Sipas Berishës “raporti përfundimtar mbështet plotësisht tezat e raportit paraprak se në zgjedhjet e 11 majit u shkelën parimet themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve, të mishëruara në Kartën e Kopenhagenit, në platformën e Këshillit të Europës për zgjedhjet, në Kodin e Venecias, në dokumentet më serioze ndërkombëtare për zgjedhjet”.
“Ato faktojnë se Kodi Zgjedhor në nenet e tij për përcaktimin e rregullave të fushatave elektorale u thye 4500 herë me evente të ndaluara gjatë fushatës elektorale”, tha Berisha.
Sipas Berishës, në raport “faktohet që Shqipëria është një diktaturë autoritare që kontrollon votën e shqiptarëve”.
“Kur raporti thotë se u përdorën të gjitha resurset administrative nga partia shtet, nga partia në pushtet, do të thotë se nuk kishte fushë të barabartë, dhe e ka shkruar jo një herë, por dy ose tre herë, e ke në raport. Kriteri më themelor i zgjedhjeve është barazia”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se shqiptarët duhet të ngrihen për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Shqiptarët bazuar në këtë raport, kanë detyrimin madhor të ngrihen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju konstatoni që parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit është parlamenti më armiqësor ndaj shqiptarëve në historinë 32-vjeçare”, tha Berisha.
Kreu i PD-së nënvizoi se “asgjë nuk do ndalë përpjekjen tonë për rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët”.
/m.q/j.p/r.e/