E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrëzohen shtesat e propozuara nga opozita në projektligjin “Për gjendjen civile”

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale u shqyrtua sot projektligji “Për gjendjen civile” i ndryshuar.

Kryetari i këtij komisioni, Bardh Spahia tha se ky propozim vjen nga një grup deputetësh të opozitës, 16 prej të cilëve kanë marrë këtë nismë ligjore, në një kontest të vështirë siç e cilësoi ai për shoqërinë shqiptare.

Spahia kërkoi edhe nga deputetët e mazhorancës që ky projektligj të merret në konsideratë për rëndësinë që sjellë në plotësimin e kuadrit ligjor të brendshëm për të ofruar garanci shtesë në mbrojtjen e familjes, dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

Një prej deputetëve nismëtarë të këtij propozimi, Tritan Shehu tha se “jemi përpara një çështjeje me peshë të madhe për shoqërinë shqiptare që prek themelet e shtetit dhe dinjitetin njerëzor, për amendamentin se në Shqipëri njihen dy gjini mashkull dhe femër të identifikuar që në lindje”.

“Gjini biologjikisht e pandryshueshme ka vetëm dy gjini mashkull dhe femër që mbeten të pandryshueshme që në lindje. Gjini biologjikisht e ndryshueshme lidhet me gratë dhe vajzat që nënkuptojnë moshën madhore të tyre dhe burrë ose djem që nënkuptojnë moshën madhore gjithashtu të tyre”, tha Shehu.

“Ky është një nen i vogël, por me një përmbajtje që prek moralin dhe parimin e familjes. Ky amendament mbështetet në një të vërtetë, faktin se jeta njerëzore ekziston sepse ekziston bashkimi i burrit dhe gruas. Nuk ka jetë njerëzore, brez të ardhshëm apo shoqëri pa këtë themel biologjik natyror”, vijoi ai.

Deputeti Shehu u shpreh se shteti nëpërmjet regjistrit civil ka për detyrë të ruajë qartësinë e të dhënave, që identifikojnë çdo qytetar.

“Nëse në certifikatat tona nuk përcaktohet gjinia që në momentin e lindjes, nëse ajo bëhet e ndryshueshme sipas perceptimit personal, atëherë bie themeli i identitetit ligjor.  Mospërcaktimi i gjinisë në lindje, hap rrugën për absurditete ku prindërit nuk quhen nënë e baba, por prindi 1 dhe 2. Ne nuk mund të lejojmë që shifrat nënë e baba të zëvendësohen nga shifra pa shpirt”, theksoi Shehu.

Nga ana tjetër, Eduard Shalsi në cilësinë e zëvendëskryetarit të Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale i etiketoi këto përcaktime si “neveri me abuzimet në debate publike mbi ligjin e barazisë gjinore”.

“Mbi atë ligj ka një tymnajë të llahtarshme që çakordon opinionin publik. Cila është diferenca e seksit me gjininë, pasi që të kuptojmë propozimin tuaj duhet të kuptojmë kontekstin”, tha Shalsi duke iu drejtuar deputetëve nismëtarë të opozitës.

Shehu tha që “ky është një terren i debatueshëm me interesa të ndryshme, por janë disa kolona që dominojnë mbi opinionet, që janë ato të ekzistencës së jetës dhe shoqërisë”.

Spahia nënvizoi se njohja e dy sekseve, pa pasur nevojë për referenca apo qëndrime politike të disa vendeve të huaja, është fakti që duhet t’i qëndrohet aspektit shkencor të definimit të gjinisë, pa përmendur malformacione apo devijime embrionale.

Ky projektligj u hodh në votim në parim dhe u rrëzua me pesë vota kundër dhe katër vota pro.

Sipas kryetarit të komisionit, Bardh Spahia, pritet që projektligji t’i kalojë për diskutim në seancat e ardhshme parlamentare.

Komisioni për Shëndetësinë-dhe-mireqenien-sociale, foto: Florian Abazaj 1 nga 4

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›