E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijon lirimi i hapësirave publike

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa kjo nismë i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale, pamje nga prishja e disa ndërtimeve pa leje, duke u shprehur: “Vijojmë”.

Ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, në çdo qytet të vendit.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon në të gjithë territorin e vendit.

Paralelisht me këtë proces po hartohet Rregullorja Kombëtare, e cila do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.

Gjithashtu, qytetarët mund të denoncojnë rastet abuzive në portalin që është vënë në dispozicion: “Hapësiraimepublike.gov.al”.

Deri sot në këtë portal janë raportuar 14 253 raste, nga të cilat janë zgjidhur 10 642 raste, ndërsa 3 611 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›