E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: SHBA hoqi kufizimin ndaj meje dhe familjes sime, u korrigjua një vendim i padrejtë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të autoriteteve amerikane, duke deklaruar se ai dhe familjarët e tij nuk janë më të privuar nga mundësia për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një mesazh publik, Berisha tha se pas një rishqyrtimi të çështjes së tij nga Departamenti i Shtetit, është korrigjuar ajo që ai e konsideron një vendim të padrejtë të administratës së mëparshme amerikane.

“Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime”, shprehet Berisha.

Ai falënderoi administratën e Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për atë që e cilësoi si korrigjim të një padrejtësie, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe filantropin George Soros për ndikim në vendimin e mëparshëm.

Në fund të reagimit, Berisha falënderoi familjen, mbështetësit dhe votuesit e Partisë Demokratike për solidaritetin e treguar, ndërsa u bëri thirrje demokratëve të vijojnë përpjekjet për, sipas tij, rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›