E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: SHBA kërkojnë nga autoritetet shqiptare të luftojnë kartelet e drogës

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “SHBA, përmes të dërguarit të saj, kërkojnë nga autoritetet shqiptare të luftojnë kartelet e drogës”.

Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se, e përshëndet këtë kërkesë, si një kërkesë të një rëndësie shumë të madhe.

Duke folur për operacionin e fundit të SPAK dhe antimafias italiane i koduar “Ura”, Berisha tha se, autoritetet italiane prunë urdhër-arrestet me datën 19 shkurt, por shtoi ai GJKKO e mbajti dosjen 42 ditë.

Ai shtoi se pas 42 ditësh, e mbajti dosjen edhe 20 ditë të tjera SPAK-u nga data 30 prill deri më datën 20 maj.

Berisha sulmoi edhe kreun e SPAK duke thënë se, “u deklaroi shqiptare se shtymë arrestin, të marrë vesh me autoritetet italiane dhe të tjera. Ky është një mashtrim i turpshëm që ai u ka bërë autoriteteve italiane dhe autoriteteve të tjera si bashkëpunëtor në një krim të rëndë me kartelin më të fuqishëm të drogës në Europë, kartelin që disponon portin kryesor të vendit”.

Berisha i bëri thirrje presidentit të SHBA, Donald Trump që të shpallë kartelet shqiptare si organizata terroriste.

Ai theksoi se, “në qëndrimin e SHBA, ka një ndryshim cilësor, shumë të rëndësishëm. Prokurorja e përgjithshme Bondi flet për kartele droge. Presidenti Donald Trump, kartelet e drogës në disa vende i ka shpallur si grupe terroriste. I bëj thirrje presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA të deklarojë terroriste këto grupe shqiptare, të cilat janë ndër më të rrezikshmet në rajon, Evropë dhe në botë”.

“Deklarimi si organizata terroriste i organizatave mafioze të Shqipërisë është një kontribut serioz, i madh, për sigurinë në Shqipëri, për sigurinë në rajon, për sigurinë e NATO-s dhe Evropës e më gjerë”, tha Berisha. /gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›