Inaugurohet parku diellor i Karavastasë, Klosi: Rritëm me 225 mijë megavat/orë në vit energjinë nga burimet e rinovueshme

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Ceno Klosi, zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës e cilësoi investimin në Parkun diellor të Karavastasë, si veprën më të rëndësishme në zhvillimin energjetik shqiptar nga burimet e rinovueshme.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit të këtij investimi, Klosi tha se sot, parku i Karavastasë punon me kapacitet të plotë, ndërsa “ne kemi arritur të rrisim me 225 mijë megavat në orë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme”.
“E kam ndjekur këtë investim që në fillimet e tij, në atë kohë kishim përmbyllur fazën e rikuperimit të plotë energjetik dhe kishim filluar fazën e zhvillimit të diversifikimit të energjisë. Ky ishte projekti i parë që nisi si një provë e qartë që sektori energjetik shqiptar kishte hyrë në një fazë të re zhvillimi pas kaq shumë dekadash të vështira”, tha ai.
“Në këto vite na është dashur të trajtojmë vështirësitë që kishim me sektorin energjetik, përballuam problemet menaxheriale dhe financiare me qëllim rimëkëmbjen e tij, dhe të përgatiteshim për një rritje të sigurt të energjisë për politikat e diversifikimit, ndërsa përballuam edhe një krizë energjetike botërore që na kujtoi se siguria energjetike është siguri ekonomike, sociale dhe gjeopolitike”, theksoi Klosi.
Ai vuri në dukje se në bashkëpunim me partnerët, ne ia arritëm të ndërtonim strategji dhe të hidhnim hapa për projekte të rëndësishme në sektorin energjetik.
“Ne arritëm të ofronim Voltalian që përmes një gare ndërkombëtare transparente arriti të kualifikohej si fituese e projektit për parkun e Karavastasë me çmimin më të ulët në Europë. Ky investim është materializim i të gjitha politikave të suksesshme të ndjekura nga qeveria. Ne kemi shtuar me 225 mijë megavat /orë në vit nga burimet e rinovueshme”, tha Klosi.
“Vizioni i sektorit energjetik shqiptar sot përpara anëtarësimit në BE, udhëhiqet për të qenë vendi eksportues neto i energjisë në rajon. Ne synojmë të ndërlidhemi me vendet e tjera dhe të kemi akses në rrjetin e BE duke bërë të mundur integrimin e sistemit energjetik shqiptar me atë të BE-së”, u shpreh Klosi.
Ai bëri të ditur se, pranë këtij impianti qeveria shqiptare po punon të ndërtojë një pol të ri energjetik që do të kthehet në një qendër rajonale për produktin energjetik të pastër, miqësor me ambientin dhe konkurruese në tregjet e Ballkanit.
“Me rreth 500 MGV kapacitete fotovoltaike në ndërtim, Fieri do të mundësoj prodhimin e 800 mijë MGV orë energji elektrike të pastër duke u transformuar në qendër energjetike”, deklaroi zv/ministri, teksa nënvizoi se, “siguria energjetike është një garanci për investitorët e huaj ku energjia është sektori kryesor për sipërmarrjet të reja”, tha Klosi.
/j.p/