E Martë, 3 Nëntor 2026

Nis përgatitja e dokumentacionit për votimin nga jashtë në zgjedhjet e 11 majit, KQZ: Procesi transparent

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi zyrtarisht sot procesin e përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që do të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 11 maj 2025.

Procesi po zhvillohet në ambientet e Parkut Olimpik “Feti Borova” në Tiranë dhe përfshin disa faza të rëndësishme logjistike dhe teknike.

Në fazën e parë, po kryhet vulosja e fletëve të votimit sipas qarqeve zgjedhore dhe vendosja e tyre në zarfin “A”, që përmban vetëm fletën e votimit. Më tej, këto zarfe do të vendosen në zarfat e jashtëm të KQZ dhe në zarfin përfundimtar të operatorit të shërbimit postar që do t’i shpërndajë ato jashtë Shqipërisë.

Sipas KQZ “i gjithë procesi zhvillohet në përputhje me vendimet e Komisionit Rregullator dhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe është plotësisht transparent.

“Procesi po monitorohet nga: Përfaqësues të subjekteve zgjedhore; Vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas; Përfaqësues të mediave

“Gjithashtu, procesi transmetohet në kohë reale në kanalin zyrtar “YouTube” të KQZ”.

Hapat kryesorë të përgatitjes: Vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit në zarfat përkatës; Vendosja e zarfeve në paketimin e jashtëm të KQZ; Kontrolli përfundimtar i dokumentacionit zgjedhor; Dorëzimi i dokumentacionit te operatori postar për dërgim jashtë vendit

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për garantimin e pjesëmarrjes së bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë kufijve në procesin demokratik të vendit”, njoftoi KQZ. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›