E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha në Korçë: Nuk ndalemi gjersa të jeni qytetarët më të paguar të Ballkanit

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të aleancës “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Korçës.

Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se “vrapi që fillon me 11 maj, nuk ndalet gjersa ju të jeni qytetarët më të paguar të Ballkanit”.

“Në histori Korça në kulturën e artit e kombit shqiptar, në rilindjen tonë qëndron në krye për kontributin e saj. Por Korça dhe korçarët qëndrojnë në krye të artit botëror: Vëllezërit Belushi, yje në kinematografinë e Hollivudit; Gjergji Leka themeluesi i art-rrokut në SHBA; në Shqipëri, artistë të mëdhenj, piktorë të pavdekshëm, skulptorë të shquar, poetë, shkrimtarë. Pra, Korça ka të gjithë trashëgiminë mahnitëse për t’u ringritur përsëri në zenitin e kohës së vet. Dhe unë ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që gjenia krijuese e korçarëve, pogradecarëve, devollinjve, kolonjarëve të shkëlqejë në të gjitha fushat. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e punës, e prodhimit e “Made in Albania”. Në “Made in Albania” e para është “Made in Korça””, tha Berisha.

“Askush nuk njeh punën dhe kulturën e saj, askush nuk njeh më mirë se ju, fermerë të mrekullueshëm të këtij qarku, por unë ju jap fjalën ju se ata të cilët rrëzuan fermat tuaja përdhe me Ballkanin e Hapur, ata të cilët shkatërruan mijëra e mijëra ferma në Korçë dhe në Shqipëri, më 11 maj marrin ndëshkimin shembullor”, theksoi Berisha.

Ndërsa premtoi Berisha, “ne fermerit korçar, devollit, pogradecar, kolonjar, do të bëjmë gjithçka për suksesin e tij. Do i 5-fishojmë subvencionet për çdo bimë, për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti të rritur. Do të investojmë në vit 70 milionë euro në kullime, vaditje dhe mbrojtje të tokës”.

Për pensionet në fshat, Berisha theksoi se, asnjë pension nuk do të jetë nën 200 euro, teksa premtoi dhe linja krediti të buta për çdo fermer që dëshiron të zgjerojë fermën e tij.

“Mbrojtja e plotë e prodhimeve tuaja në sezon është zotimi im para jush, fermerë të Korçës, fermerë shqiptarë”, tha më tej Berisha.

Kreu i PD u shpreh se në 12 vite shqiptarët u varfëruan.

“Nuk ishim mëkëmbur, por rroga dhe pensionet i kishin më të lartë se të tjerët, i kishin më të lartë se maqedonasit, serbët, malazezët, Kosova, Bosnja, më të lartë se Rumania dhe Bullgaria. Po pse? Jemi më të pasur ne, ne kemi pasuri shumë më të mëdha se ata. Çfarë ndodhi 12 vite? 12 vite u 2-3-fishuan, pensionet mbetën pothuaj ato. Sot për një qytetar korçar në pension, për të blerë ato që blinte në vitin 2013, duhet të kishte një pension 390 mijë lekë. Sot rroga minimale duhet të ishte të paktën dyfishi i asaj që është sot”, tha Berisha.

Kreu i PD u shpreh se, “Edi Rama, 3-5-fishoi rrogat e larta dhe të ulëtat i la njerëzit për të numëruar kafshatën”.

Sipas tij, “kjo merr fund. Ne do u kthejmë paratë ju, dhe u garantoj se vrapi ynë që fillon me 11 maj, nuk ndalet gjersa ju të jeni qytetarët më të paguar të Ballkanit. Ky është zotimi ynë para jush, ky është vendimi ynë”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›