Berisha në SPAK: Irena Gjoka s’duhej të ishte gjyqtare, ligji ia ndalon. Të shkarkohet menjëherë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha akuzoi drejtpërdrejt gjyqtaren Irena Gjoka, duke deklaruar se ajo nuk e ka pasur të drejtën ligjore të ushtrojë detyrën si gjyqtare, për shkak të një vendimi penal ndaj saj, ndërsa kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të saj.
“Kemi depozituar një kërkesë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për konstatimin e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës. Ajo, kur mori detyrën, nuk plotësonte kushtet ligjore për të qenë gjyqtare, pasi kishte një vendim penal të formës së prerë. Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë: një person i dënuar, i cili ka cënuar integritetin publik, nuk mund të ushtrojë funksione publike në organet kushtetuese”, u shpreh Berisha.
Ky i fundit tha se dokumentacioni që dëshmon dënimin penal të gjyqtares Gjoka u është dorëzuar institucioneve përkatëse, të cilat, sipas tij, kishin detyrimin ligjor për të konstatuar përfundimin e mandatit të saj dhe nisjen e ndjekjes penale.
Sipas liderit të opozitës, gjyqtarja Gjoka gëzon mbrojtje politike, duke akuzuar me emër drejtuesin e SPAK Altin Dumanin, të cilin e akuzoi për bashkëpunim në atë që ai e cilësoi si “krim të shëmtuar”.
“Troplini, me urdhra të paligjshëm apo ndoshta edhe me ryshfete, mbron një person që s’mund të ishte gjyqtare. Ai bëhet bashkëautor në këtë farsë të turpshme,” tha Berisha.
Ai e përshkroi gjyqtaren Gjoka si një “mashë të verbër” të përdorur kundër opozitës, duke e lidhur emrin e saj me disa procese të rëndësishme gjyqësore ku janë përfshirë zyrtarë të Partisë Demokratike.
/rtsh.al/