Berisha për kryeministrin Rama: Kloun i Sorosit që dëmton interesat e shqiptarëve

Vendimet e kryeministrit për çështjen e ndërtimeve, kryedemokrati Sali Berisha i konsideroi nisma që Rama i ndërmerr për të shmangur vëmendjen nga skandalet vendase dhe ato ndërkombëtare.
“Edi Rama shfrytëzoi samitin e Bashkimit Politik të Europës për të përqeshur, për t’u tallur me presidentin e SHBA. Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe kllounadën e Edi Ramës dhe u them se është absolutisht jo akt i pakontrolluar, por akt i qëllimshëm,” tha Berisha.
Pavarësisht se për demokratët, Rama ka ngritur në sistem krimin dhe korrupsionin, sikundër ka uzurpuar të gjitha pushtetet, Partia Demokratike, thotë Berisha, do të vijojë betejën e saj edhe pse në hapësira të kufizuara. Në këtë mënyrë, Berisha preu çdo aludim se partia që drejton do të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, edhe pse kishte jo pak rezerva për dekretin e presidentit, veçanërisht për zgjedhjet e Tiranës.
“Në qoftë se shkoni dhe merrni dosjen e gjirit të Limianit, e bazës ushtarake, ju do gjeni aty se ajo dosje krimi e bëri atë president. Shqipëria nuk ka president, ka një skllav të krimit që fshihet prapa gishtit dhe që më thanë se u fsheh prapa Rusmalit,” u shpreh ai.
Kryedemokrati vlerësoi kandidatët e propozuar nga partitë e tjera në tryezat e diskutimit, por tha se thelbi i negociatave ka qenë profili i kandidatit.
“Partia Demokratike siç unë kam shpjeguar këtu para jush, gjatë këtyre kohëve është marrë me modelin, jo me emrat. Me aleatët tanë ne kemi diskutuar për modelin që do ndjekim. D.m.th. do të jetë ky një kandidaturë politike e PD apo nuk do të jetë? Do të jetë ky një kandidaturë politike e koalicionit apo nuk do të jetë? Do të jetë ky një kandidaturë e pavarur që do e mbështesin të gjitha partitë e koalicionit apo nuk do jetë?” deklaroi kryedemokrati.
Ndërkohë në vijim të aksionit politik në Kuvend, PD-ja depozitoi kërkesën për mbajtjen e një mocioni me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për fondet e IPARD-it.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/