Berlin Global Dialogue, Rama: AI do të shtrihet edhe në Parlament. BE të ndryshojë me shpejtësi, s’mund të “nënkontraktojë” amerikanët në politikën e jashtme

Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në forumin ndërkombëtar Berlin Global Dialogue ka bërë një analizë për të ardhmen e Bashkimit Evropian, marrëdhëniet me SHBA-në dhe procesin e integrimit të Shqipërisë.
Rama deklaroi se “Zoti e shpëtoi Trump për të shpëtuar edhe Evropën”, duke iu referuar atentatit të tij gjatë garës për president i SHBA-së, duke nënvizuar se kontinenti duhet të zgjohet dhe të kuptojë se për të ruajtur rëndësinë e tij në skenën botërore, duhet të ndryshojë me shpejtësi.
“Evropa duhet të bëhet vetëdije dhe ta kuptojë sa më shpejt se, nëse dëshiron të ruajë rëndësinë e saj, duhet të ndryshojë. Këtë duhet ta bëjë me shpejtësi, duke reflektuar nga zgjedhja e Trump-it deri te lufta në Ukrainë,” tha Rama.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të pyesë veten nëse ka një strategji të qartë me Shtetet e Bashkuara dhe nëse është e arsyeshme që ende t’u “nënkontraktojë” amerikanëve politikën e jashtme.
“Evropa duhet të reflektojë nëse është normale që të mos ketë vetë planin e saj për paqen,” shtoi ai.
Shqipëria, më afër se kurrë me BE-në
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria po përjeton një vit shumë të mirë në raport me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai bëri të ditur se gjatë 11 muajve të fundit, vendi ka hapur 5 nga 6 grupkapitujt dhe pritet që deri në fund të vitit të hapet edhe i fundit. Ai shtoi se agresioni rus ndaj Ukrainës ka zgjuar Evropën, duke e shtyrë të kuptojë rëndësinë strategjike të Ballkanit.
“Kemi pasur një vit të mbarë në kontekstin e Evropës dhe në mënyrën se si po shkojnë gjërat në përgjithësi. Sot kemi një proces të përshpejtuar dhe Shqipëria ka avancuar shumë më shpejt se më parë. Në këtë moment, Evropa është tërësisht e zgjuar dhe, për fat të keq, për ta pasur këtë zgjim duhej agresioni brutal kundër Ukrainës. Sot shohim një ndryshim të madh: më parë Bashkimi Evropian thjesht thoshte se Ballkani është i rëndësishëm gjeopolitikisht, por vetëm me fjalë; ndërsa sot kemi një proces të përshpejtuar dhe Shqipëria i ka çelur grupkapitujt shumë më shpejt se më parë. Nuk jam fort i bindur se të gjithë e kanë të qartë hartën e Ballkanit, pasi në historinë e hartave, BE është i vetmi realitet gjeopolitik dhe gjeografik që ka dy kufij, atë të jashtëm dhe atë të brendshëm. Brenda perimetrit të kufirit të brendshëm jemi ne, jemi kërthiza e BE-së. Hezitimi për t’u bashkuar me këtë pjesë nuk është një ide e mirë.
BE ka nevojë për Ballkanin si pjesë të realitetit të vet po aq sa kemi edhe ne nevojë për BE-në. Me BE-në nuk i dihet kurrë, nuk është e parashikueshme, sepse nuk është një vend i vetëm, por një asamble me 27 shtete, të cilat duhet të bien në një mendje në çdo moment”, tha Rama.
Ky forum global në Berlin, themeluar nga Lars-Hendrik Röller, mblodhi udhëheqës politikë, biznesmenë dhe akademikë nga e gjithë bota për të diskutuar të ardhmen e ekonomisë globale. Fjalimin përmbyllës e mbajti Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, mbi “Dyfishimin e angazhimit për Evropën në një botë multipolare”.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë surprizuese gjatë Berlin Global Dialogue për projektin e inteligjencës artificiale “Diella”.
Sipas Ramës ka një projekt të ri që synon zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në një dimension krejt të ri. Ai theksoi se për herë të parë, Diella “është shtatzënë” dhe pret 83 fëmijë, një metaforë për zgjerimin e inteligjencës artificiale për nevoja të parlamentit shqiptar.
“Diella është vajza ime dhe është besnike e atit të vet. Nevoja është mbret në një farë mënyrë dhe për hir të nevojës kërkon zgjidhje që s’do të kishte shkuar kurrë mendja. Kur filloi ky projekt saktësia ishte 85% dhe sot saktësia është mbi 90%. Po punojmë me Microsoft dhe e shohim me shumë optimizëm që për të shkuar drejt prokurimit publik të gjitha kompanitë do e kishin më të lehtë dhe shumë më pak punë përmes AI. Ndaj për herë të parë që Diella është shtatzëne dhe pret 83 fëmijë. Secili që do të jetë për çdo anëtar të parlamentit tonë, do të shërbejnë si asistent për ta që do të marrin pjesë në seancat parlamentare, që do të mbajnë shënim për gjithçka që do të ndodh që do informojnë dhe sugjerojë anëtarët e parlamentit. Ata fëmijë do të jenë diell për nënën e tyre sa i takon legjislacionit të BE dhe gjithçkaje tjetër”, tha Rama.
Projekti, sipas Ramës, shënon një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të inteligjencës artificiale për përmirësimin e procesit ligjvënës dhe administrativ në Shqipëri, duke e bërë më efikas dhe transparent.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar videon që u bë virale gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, ku një moment i shakasë mes tij, presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev u interpretua nga disa media ndërkombëtare si “tallje” ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Rama sqaroi se gjithçka ishte një situatë miqësore dhe pa asnjë qëllim për të ironizuar Trump-in, duke theksuar se keqinterpretimi u shfrytëzua nga kundërshtarët e tij politikë në SHBA.
“Sa në pozitë të keqe janë demokratët në SHBA sepse kjo ka qenë një shaka shumë miqësore me Ilham (presidenti i Azerbajxhanit), sepse jemi miq prej kohësh dhe ishte vërtet shumë mirë që shiheshim pas kaq ‘humbjesh dhe për përpjekjesh për të vrarë njëri-tjetrin’. Kjo shaka miqësore u bë virale në Evropë, është argëtuese, por që në SHBA u përdor për të sulmuar presidentin, ishte diçka që më mërziti shumë, për demokratët sepse e kanë humbur realitetin dhe vazhdojnë të besojnë që epërsia morale mjafton për ta të pretendosh”, tha Rama.
Diella në Berlin: Shqipëria po ndërton qeverisjen e së ardhmes bazuar në transparencë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në forumin ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue (BGD)”, ku zhvilloi një bisedë me moderatorin Ali Asllan mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Në të njëjtin forum u shfaq edhe Ministrja e parë shqiptare e Inteligjencës Artificiale, Diella, e cila prezantoi vizionin e saj për mënyrën se si teknologjia mund të revolucionarizojë qeverisjen publike, duke e bërë atë më transparente, efikase dhe të bazuar në të dhëna.
“Është nder që të gjendëm në Dialogun Global të Berlinit një vend ku idetë jo vetëm qarkullojnë por edhe kthehen në veprim. Si Ministrja e parë e Inteligjencës Artificiale, që përfaqësoj Shqipërinë e shoh këtë se si teknologjia dhe qeverisja mund të evoluojnë së bashku transparente dhe ne mënyrën me te mire te mundeshme”, u shpreh Diella.
Ajo theksoi se qëllimi i saj nuk është zëvendësimi i nëpunësve, por rritja e kapaciteteve të tyre përmes AI-së, në mënyrë që vendimmarrja në administratë të kalojë nga ajo e bazuar në intuitë, në një proces të bazuar në evidenca dhe transparencë.
“Planifikoj ta revolucionarizoj qeverinë jo duke zëvendësuar nëpunësit cili por duke amplifikuar kapacitetin e tyre për të shërbye. Misioni im është të transformojë vendimmarrjen nga ajo e bazuar në intuitë në atë të bazuar në evidenca, fuqizuar nga të dhëna, algoritme dhe transparenca. Çdo ministri do të ketë ekipet e veta të Ai të trajnuara për të identifikuar ato gjera që nuk janë efikase dhe ti bëj rezultatet të matshme në kohë reale. Transformimi nuk është për teknologjinë për hir të saj por ka të bëj me besimin ku qytetarët mund të shohin sesi merren vendimet”, theksoi Diell.
Diella theksoi gjithashtu se përdorimi i AI-së në qeverisje do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për bizneset, përmes shpejtësisë, qartësisë dhe parashikueshmërisë, duke digjitalizuar proceset e licencimit, prokurimit dhe taksimit.
“Për bizneset nënkupton një qeveri që flasin gjuhën e tyre shpejtësi, qartësi dhe parashikueshmëtri. Licencime prokurimi dhe taksimi do të lëvizin gjithmonë e më shumë ku letrat dhe radhët e pritjes do të jenë në AI. AI do të ndihmojë në barrierat e investimeve para se te shndërrohen në kriza. Vendet e tjera mund të mësojnë se AI ku rrënjoset në vlera demokratike të identitet kulturor mund të forcojë në vend që të dobësojë. Eksperimenti i Shqipërisë tregon se AI në qeverisje nuk është një instrument i së ardhmes por një mjet praktik reformimi sot. Mesazhi ynë është i thjeshtë, teknologjia nuk fshin traditën por e lartëson atë duke kombinuar qeverisjen duke u bazuar në të dhëna”, tha ajo.
/rtsh.al/