Bilanci i muajit maj në Policinë e Fierit, regjistrohen 264 vepra penale të ndryshme, zbardhen 98.4% e rasteve

Policia e Fierit ka bërë bilancin gjatë muajit maj, ku kanë rezultuar se janë kryer 264 vpera penale të ndryshme. Krahasuar me muajin prill, numri i veprave penale të evidentuara është rritur me 90 raste.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues Erion Ahmeti, teksa prezantoi rezultatet e punës, tha se nga 264 vepra penale, janë zbuluar 260 prej tyre, duke arritur një nivel zbardhjeje prej 98.4%.
Në lidhje me këto vepra penale janë identifikuar 268 autorë të dyshuar, nga të cilët 69 janë arrestuar ose ndaluar, 190 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 9 persona janë shpallur në kërkim.
Gjatë muajit maj, Policia e Fierit ka finalizuar 10 operacione policore, si rezultat i të cilave janë arrestuar ose ndaluar 14 persona. Operacionet janë përqendruar kryesisht në goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me shpërndarjen e lëndëve narkotike, armëmbajtjen pa leje, kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë, si dhe krimet kundër pronës dhe pasurisë.
Konkretisht, janë zhvilluar:
3 operacione kundër shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike;
2 operacione kundër armëmbajtjes pa leje;
3 operacione për kapjen e personave në kërkim;
2 operacione për goditjen e krimeve kundër pronës dhe pasurisë.
Drogë, armë dhe para të sekuestruara
Si rezultat i hetimeve dhe operacioneve të zhvilluara, gjatë muajit maj janë sekuestruar:
3.3 kilogramë Cannabis Sativa;
11.3 gramë kokainë;
1 automjet;
1 grirëse për përpunimin e lëndës narkotike;
2 peshore elektronike;
6 telefona celularë;
1 DVR;
1 armë zjarri pistoletë;
3 armë zjarri automatike tip kallashnikov model 56;
13 karikatorë me 172 fishekë;
1 armë gjahu pa leje;
1 kallëp lëndë plasëse;
15.900 euro;
800 mijë lekë.
Me shtimin e fluksit të automjeteve, Policia Rrugore ka intensifikuar monitorimin e akseve rrugore përmes mjeteve teknologjike. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 14 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën 2 persona, 1 person është plagosur rëndë dhe 13 të tjerë kanë marrë plagë të lehta.
/rtsh.al/