Biznesi kërkon dialog me qeverinë për paketën fiskale 2027

Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë një mekanizëm të qëndrueshëm konsultimi me qeverinë, veçanërisht për hartimin e politikave fiskale. Shqetësimet u ngritën gjatë panelit “Konkurrueshmëria e Ekonomisë Shqiptare, Sfidat dhe Rreziqet”, në Pallatin e Kongreseve, ku po zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Tiranës.
Paketa fiskale e vitit 2027 ishte në qendër të diskutimeve, me sipërmarrësit që paralajmëruan për rritje të kostove dhe pasoja në konkurrueshmërinë e produkteve vendase.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, theksoi se mungesa e dialogut me institucionet po krijon mosbesim te bizneset. “Jemi në një fazë të fillimit të mosbesimit që kemi ndaj autoriteteve shtetërore me paketën Fiskale të prezantuar së fundmi. Kemi një ligj për dialogun publik dhe privat, kemi një ligj për konsultimin publik dhe ne ende sorollatemi për të patur një mekanizëm të besueshëm se si duhet të dialogojmë me qeverinë”, tha Shkodra.
Ndërsa sipërmarrësi Edvin Prençe paralajmëroi se barra shtesë fiskale mund të përkthehet edhe në rritje të çmimeve për konsumatorët. “Bizneset po orientohen dhe integrohen drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Europian. Ndryshimet ne paketen fiskale sjellin rritje të kostove, pse jo dhe të çmimeve të shportës, të cilat do të shkarkohen te biznesi dhe konsumatorët”.
Në diskutim u ngritën gjithashtu shqetësime për kursin e këmbimit, shpërndarjen e investimeve publike dhe mbështetjen e sektorit prodhues. Eksperti Eduart Gjokutaj kërkoi që investimet publike të orientohen më shumë drejt aktiviteteve që gjenerojnë prodhim dhe vlerë të shtuar.
Lajme të Sugjeruara