E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 600 gota qelqi me përmbajtje metalesh të rënda

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ka bllokuar një sasi prej 600 copë gotash qelqi, të cilat paraqisnin rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve, duke parandaluar hedhjen e tyre në treg.

Operacioni u realizua në bashkëpunim me Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe subjektin tregtar, pas identifikimit të produkteve problematike. Bëhet fjalë për disa lloje gotash qelqi për pije, të dekoruara me motive të ndryshme si kungull, “Holly”, lule dhe zemra, të cilat rezultuan me përmbajtje të lartë të metaleve të rënda, konkretisht kadmium dhe plumb.

Produktet u identifikuan pas një njoftimi nga prodhuesi Zebra A/S dhe përmes sistemit evropian të sigurisë ushqimore RASFF, ku u klasifikuan si “Alert” për shkak të pranisë së substancave të rrezikshme në produkte me origjinë nga Kina, të shpërndara përmes Danimarkës.

Sipas të dhënave zyrtare, produktet i përkasin kategorisë “materiale në kontakt me ushqimin”, ndërsa njoftimi është bërë nga Sllovakia, me nivel risku të vlerësuar si serioz. Arsyeja e ndërhyrjes lidhet me kontrollin zyrtar të ushtruar nga autoritetet përkatëse.

Për këtë rast, është marrë masa administrative e ndalimit të përhershëm të tregtimit të këtyre produkteve në tregun shqiptar.

ISHMT bën të ditur se vijon monitorimin intensiv të tregut, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshimtë përmes faqes zyrtare të institucionit.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›