Vance viziton Budapestin, mbështet Viktor Orbán në prag të zgjedhjeve parlamentare

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, është nisur mëngjesin e sotëm (7 prill) për në Budapest, ku pritet të takojë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, gjatë ditëve të fundit të fushatës para zgjedhjeve parlamentare që zhvillohen këtë fundjavë.
Duke u nisur nga Baza e Përbashkët Andrews, Vance tha se mezi priste të takohej me “mikun e tij Viktor” dhe se dyshja do të diskutonte jo vetëm gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Hungari, por edhe çështje më të gjera mbi Evropën dhe situatën në Ukrainë.
Vizita e Vance pritet të shihet si një përfshirje e rrallë e një zyrtari amerikan në një fushatë zgjedhore të huaj, duke treguar rëndësinë që ka për SHBA-në figura e Orbán-it, i cili është një kritik i rregullt i politikave të Brukselit dhe Evropës për migracionin. Në janar, disa udhëheqës të krahut të djathtë mbështetën Orbán-in në një video dhe muajin e kaluar morën pjesë në një tubim “Patriotët” në Budapest.
Megjithatë, Orbán mbetet një aleat i rrallë i Rusisë në Evropë, duke bllokuar disa nga masat e Bashkimit Europian për Ukrainën, përfshirë kredinë e fundit prej 90 miliardë eurosh dhe sanksionet më të rrepta ndaj Moskës, në një kontekst përplasjeje mbi furnizimet energjetike dhe konfliktin në rajon.
/rtsh.al/