Blushi: Mazhoranca, kapitull të ri të rrënimit të ekonomive familjare

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh sot në seancën plenare të Kuvendit se me ndryshimet e sjella për miratim, mazhoranca nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ligjërojë praktikat korruptive koncesionare për të hapur një kapitull të ri, sipas tij, të grryerjes dhe rrënimit jo vetëm të buxhetit të shtetit, por edhe të ekonomive familjare.
Në vijim ai u ndal tek presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta I cili ndodhet në paraburgim, duke e cilësuar si denoncues kryesor i koncesioneve dhe PPP-ve korruptive.
Sipas Blushit, Meta është i burgosur politik.
Blushi solli në vëmendje se Avokati i Popullit, ka konstatuar të paktën katër shkelje shumë të rënda të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, se kufizimi i takimeve të Metës në katër takime dhe pa lejuar deputetët dhe eurodeputetët ta takojnë, është shkelje e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Blushi u bëri thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të kërkojnë takime me Metën, pasi këtë, siç tha ai, ua mundëson Konventa, Kushtetuta dhe së fundmi edhe raporti i Avokatit të Popullit.