E Diel, 1 Nëntor 2026

Boçi: T’u japim pushtet real bashkive, kjo kërkon rritjen e numrit të tyre

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, bashkëkryetar i tryezës së Reformës Administrative-Territoriale në Kuvend, Luçiano Boçi, tha sot se reforma e vitit 2014 dështoi dhe sot në tryezën e reformës së re territoriale janë po të njëjtët njerëz.

I ftuar sot në “Top Story”, Boçi tha se në vitin 2014 u tentua centralizim administrativ, ndërsa Partia Demokratike kërkon decentralizim të plotë dhe më shumë pushtet real për pushtetin vendor. Për këtë, ai theksoi se duhet rritje e numrit të bashkive.

“Sot pushteti lokal funksionon në shërbim të votave për pushtetin qendror. Drejtuesi lokal, në vend që t’u shërbejë qytetarëve, punëson njerëz të zonës që kontrollojnë apo sjellin votat. Nuk punësohen profesionistë, prandaj mungojnë burimet njerëzore dhe më tej edhe shërbimet, ndërsa çdo punë bëhet në funksion të votave”, u shpreh Boçi.

“Prandaj na duhet një reformë reale për t’i dhënë pushtet real pushtetit lokal. Këtu vjen e domosdoshme rritja e numrit të bashkive, duke u dhënë kompetenca më shumë. PS e sheh bashkinë si ndërmarrje fitimi për vota, ndërsa PD e sheh si zyrë shërbimi, investimi dhe politikash në të mirë të qytetarit”, tha Boçi.

“Rritja e numrit të bashkive i bën ato më autonome, më të forta në qeverisjen e tyre dhe më funksionale në shërbim të qytetarit. Ne s’mund të ulim numrin e bashkive duke i centralizuar edhe më shumë, duke i lënë pa kompetenca dhe pa aftësi për të çuar shërbimin te qytetari”, përfundoi Boçi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›