E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani në Kuvend: KLP me progres në emërime, vlerësime dhe reformim institucional

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025.

Gjatë raportimit u prezantuan arritjet kryesore të institucionit, masat e ndërmarra për përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit, si dhe prioritetet që kanë udhëhequr veprimtarinë e Këshillit gjatë vitit 2025.

Në këtë kuadër, u evidentua përfundimi i procedurave për zgjedhjen e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), procese me rëndësi të veçantë për funksionimin e institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë.

Po ashtu, Këshilli ka vijuar punën për forcimin e kapaciteteve të sistemit të prokurorisë përmes emërimit të 26 magjistratëve prokurorë të rinj dhe realizimit të 24 procedurave të lëvizjes paralele në zyrat e prokurorisë në vend.

Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me procesin e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve. Gjatë vitit 2025 janë përfunduar 40 vlerësime etike dhe profesionale, kundrejt 9 vlerësimeve të realizuara gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje të ndjeshme të ritmit të këtij procesi.

Gjatë raportimit u evidentuan gjithashtu masat e ndërmarra për konsolidimin e kuadrit nënligjor që rregullon veprimtarinë e Këshillit, përmirësimin e proceseve që lidhen me karrierën dhe administrimin e sistemit të prokurorisë, si dhe angazhimin e institucionit në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe adresimit të rekomandimeve të Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë.

Në fushën e transparencës dhe komunikimit publik, vëmendje e veçantë iu kushtua miratimit të Strategjisë së Komunikimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një dokument strategjik që synon forcimin e komunikimit institucional, rritjen e aksesit të publikut në informacion, përmirësimin e marrëdhënieve me median dhe konsolidimin e transparencës në veprimtarinë e institucionit.

Gjithashtu, u prezantuan hapat e ndërmarrë në drejtim të modernizimit dhe digjitalizimit të proceseve të brendshme të Këshillit.

Anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut drejtuan pyetje dhe paraqitën komente mbi punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë vitit 2025, të cilave përfaqësuesit e Këshillit iu përgjigjën në kuadër të diskutimit parlamentar.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›