Deputetët e PD-së takojnë Montserrat: Raporti i PE-së shpreh zhgënjim dhe mosbesim ndaj qeverisë

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputetët e PD-së Jorida Tabaku dhe Agron Gjekmarkaj, zhvilluan sot një takim në Parlamentin Europian me sekretaren e përgjithshme të Partisë Popullore Europiane (PPE) dhe eurodeputeten, Dolors Montserrat.
Gjatë takimit, Bardhi u shpreh se integrimi europian ka vetëm një armik: qeverisjen e korruptuar dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës.
“Edi Rama zgjodhi Belinda Ballukun përpara integrimit europian. Me vetëdije të plotë, për të mbrojtur bashkëpunëtoren e tij të pandehur nga SPAK-u, Edi Rama nuk e kaloi testin e Europës dhe sot raporti i Parlamentit Europian po na vendos kusht pas kushti, duke shprehur hapur zhgënjimin dhe mosbesimin ndaj kësaj qeverie”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, “Edi Rama zgjodhi aleancën me krimin e organizuar, në vend të aleancës me familjen europiane”.
“Vetëm në dy dosje të drejtësisë, të bëra publike së fundmi, rezulton qartë se, me firmën e Edi Ramës, Shqipëria është bërë parajsë e pastrimit të parave të krimeve të kryera në vendet e Bashkimit Europian. Por shqiptarët kanë zgjedhur Europën prej kohësh, prandaj kanë vendosur ta largojnë Edi Ramën”, theksoi ai.
/m.m/r.e/a.f/