Bonus qiraje për një vit për banorët e pallatit të djegur/ AZHT: Brenda një muaji nisin punimet për rindërtimin

Të gjithë banorët e prekur nga zjarri në pallatin e “Arlis Ndërtim” pranë Farmacisë nr. 10 në kryeqytet do të trajtohen me bonus qiraje deri në një vit.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, tha se për të mundësuar këtë po bëhen ndryshimet ligjore që brenda muajit vendimi të kalojë në Këshillin Bashkiak.
“Duke parë që në të gjitha ambientet që kishte Bashkia e Tiranës, banorët nuk kishin kushte të përshtatshme për të qëndruar për një periudhë më të gjatë se 72 orë, jemi duke menduar për një zgjidhje tjetër. Drejtoria e Shërbimit Social, e Strehimit dhe Juridike janë duke përgatitur një program bonus qiraje. Aktualisht kemi vetëm dy programe ku banorët nuk përfitojnë dot bonus sepse skualifikohen pasi kanë një pronë. Bonusi i qirasë do të jetë për një periudhë 6‑mujore deri në një vit”, tha Dango.
Ky vendim iu bë i ditur edhe banorëve nga zv.kryeministrja Albana Koçiu.
“Fola me Bashkinë e Tiranës, do të marrin masa për një bonus qiraje pasi nuk pranojnë akomodim. Këtu ka dy elemente: hetimet për përgjegjësit penalë lidhur me situatën dhe grupi i ekspertëve teknikë që po vlerësojnë se çfarë masash duhen marrë që kjo situatë të mos ndodhë më. Kjo na shërben si një rast shumë i mirë që na sjell mësime”, tha Koçiu.
Paralelisht, autoritetet po punojnë për të mundësuar rindërtimin sa më parë të pallatit të dëmtuar. Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, tha se do të përshpejtohen të gjitha procedurat për lejet përkatëse dhe brenda një muaji do të nisin punimet.
“Agjencia e Zhvillimit të Territorit po punon që brenda një muaji të nisin punimet. Do të vijnë edhe një grup arkitektësh”, u shpreh Roka.
Të martën, pallati i kompanisë “Arlis Ndërtim” u përfshi nga flakët si pasojë e të cilave 30 apartamente u dogjën plotësisht, ndërsa 8 persona përfunduan në spital nga asfiksia.