E Diel, 1 Nëntor 2026

Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës në 210 lekë/litër

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Bordi i Transparencës vendosi sot që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.

Çmimi është ulur me 10 lekë për litër. Ndërkohë, bordi ka njoftuar se duke qenë se çmimi zbriti nën 220 lekë, akciza do të zbatohet e plotë dhe nuk do të ketë reduktim 20% të saj.

Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot, datë 9 prill, në orën 14:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Në lidhje me aplikimin e akcizës, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sqaroi referencën tek Akti Normativ i 3 prillit, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lekë/litër, apo për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.

Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›