Borë në zonat malore të Elbasanit, qarkullimi vetëm me zinxhirë

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Zonat malore të bashkisë Elbasan gjatë natës janë përfshirë nga reshje dëbore me intensitet të lartë.
Aktualisht ka prani dëbore në fshatrat e njësive administrative Gjinar, Gracen, Labinot-Mal dhe Funar.
Sa i përket situatës në akset rrugore, zyra e shtypit e bashkisë Elbasan bën të ditur për ATSH-në se “rruga Elbasan–Gjinar është e kalueshme vetëm me zinxhirë, duke nisur nga fshati Shelcan. Aksi Elbasan–Gracen dhe fshatrat e Gracenit janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa kalimi pa zinxhirë nuk do të lejohet”.
Gjithashtu, rruga Elbasan–Funar, si edhe rruga për në Labinot-Mal, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Në të gjitha akset ku ka prani dëbore dhe ngrica po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë së përdoruesve të rrugës.
Sa i përket reshjeve të shiut, pavarësisht intensitetit të tyre, deri në këto momente nuk janë evidentuar problematika të mëdha në territorin e bashkisë.
Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse.
/k.s/a.f/r.e/