E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Bota të dënojë Izraelin”, Katari thirrje bashkësisë ndërkombëtare të heqë dorë nga standardet e dyfishta

Katari ka mbledhur udhëheqësit arabë dhe islamikë në kryeqytetin e vendit në një takim urgjent në përgjigje të sulmit të paprecedentë izraelit ndaj anëtarëve të Hamasit në Doha.

Takimi shërben për të theksuar unitetin midis vendeve të Gjirit dhe kërkon të ushtrojë më shumë presion mbi Izraelin, i cili tashmë po përballet me thirrje në rritje për t’i dhënë fund luftës dhe krizës humanitare në Gaza.

“Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta dhe të ndëshkojë Izraelin për të gjitha krimet që ka kryer:”- tha kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, duke shtuar se “lufta shfarosëse” e Izraelit në Gaza nuk do të ketë sukses.

“Ajo që po e inkurajon Izraelin të vazhdojë është heshtja, pamundësia e bashkësisë ndërkombëtare për ta vënë atë vend përpara përgjegjësisë”, tha ai.

Ndër udhëheqësit pjesëmarres ne samit janëkryeministri irakian, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian. Ky i fundit u bëri thirrje vendeve myslimane të ndërpresin lidhjet me Izraelin.

“Vendet islamike duhet t’i ndërpresin lidhjet e tyre me këtë regjim të rremë dhe të ruajnë unitetin dhe kohezionin sa më shumë që të jetë e mundur” tha Pezeshkian, duke shtuar se shpresonte që samiti të arrinte në një përfundim mbi masat kundër Izraelit.

Sipas zëdhënësit të ministrisë së jashtme të Katarit, në takim do të shqyrtohet një projektrezolutë mbi sulmin izraelit ndaj shtetit të Katarit.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›