Përgatitjet për sezonin e vjeshtës dhe dimrit, ARRSH Gjirokastër ndërhyn për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore

Me ardhjen e stinës së vjeshtës, Autoriteti Rrugor Jugor në Gjirokastër ka intensifikuar ndërhyrjet në akset kryesore, duke u dhënë përparësi përgatitjes për sezonin e vjeshtës dhe dimrit.
Punimet përqendrohen në pastrimin e rrugëve dhe përmirësimin e sinjalistikës, me synim lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë.
“Përfshihen të gjitha inspektimet në aksin rrugor për gjendjen teknike të kanaleve anësore, tombinave, urave të vogla, të mesme e të mëdha, dhe të sinjalistikës rrugore,” thotë inxhinieri i ARRSH-së, Aristotel Noni.
Gjithashtu, pritet që shumë shpejt të nisin punimet në aksin rrugor Ura e Leklit–Këlcyrë, ndërhyrje që synon përmirësimin e parametrave të kthesave dhe rritjen e standardeve të këtij segmenti të rëndësishëm.
“… si dhe asfaltimi i një gjatësie prej 1,2 km në këtë segment rrugor,” tregon z. Noni.
ARRSH-ja bën të ditur se puna do të vijojë në vijimësi edhe në akse të tjera të qarkut, me qëllim që infrastruktura rrugore të jetë e përgatitur për stinën e dimrit dhe të garantojë sigurinë e përdoruesve të rrugës.
/rtsh.al/