E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca ndez dritat e pemës së Krishtlindjeve, fëmijët në qendër të ceremonisë festive

Institucioni i Presidentit të Republikës ndezi sot në mbrëmje dritat e pemës së Krishtlindjeve, në një ceremoni festive që është kthyer në traditë në vigjilje të festave të fundvitit.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, pritën dhjetëra fëmijë në ambientet e institucionit, ku atmosfera u mbush me muzikë, drita dhe emocione.

Mes tingujve festivë dhe valleve të interpretuara nga Ansambli i Fëmijëve të Durrësit, të vegjlit morën dhurata dhe shkëmbyen urime për një vit të ri më të mbarë.

Në përshëndetjen e saj, Zonja e Parë vlerësoi rolin dhe energjinë e fëmijëve, duke theksuar se të rriturit kanë detyrimin të punojnë për një të ardhme më të sigurt për ta.

“Tashmë kaloi dhe një vit dhe ju jeni me më shumë dije, me më shumë arritje. Për dashurinë e pafundme dhe krenarinë që na dhuroni, ne, të rriturit, prindërit tuaj, duhet të punojmë më shumë për një botë ku e ardhmja juaj të jetë më e sigurt dhe me më shumë mundësi për ju”, u shpreh Zonja Begaj.

Ceremonia u mbyll me ndezjen e dritave të pemës së Krishtlindjeve dhe duartrokitjet e fëmijëve.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›