Konispol, aplikimi i vaksinës HPV – Vaksina e domosdoshme si për djemtë ashtu edhe për vajzat

Një nga vaksinat e përfshira në kalendarin e vaksinimit për fëmijët nga 0 deri në 18 vjeç është edhe vaksina HPV kundër papillomavirusit. Kjo vaksinë ka një rol të rëndësishëm në parandalimin e disa llojeve të kancerit që lidhen me infeksionin HPV.
Në Konispol, mjekët po u bëjnë apel prindërve që të sigurojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre, si djemve ashtu edhe vajzave. Ata theksojnë rëndësinë e këtij veprimi për shëndetin afatgjatë të fëmijëve.
Mjekja Dorina Arapaj u shpreh: “Një ndër vaksinat që përfshihet në kalendarin e vaksinimit të fëmijëve nga 0 deri në 18 vjeç është edhe vaksina HPV kundër papillomavirusit. Kjo vaksinë aplikohet si tek vajzat, ashtu edhe tek djemtë në Shqipëri, në moshën 12-13 vjeçare. Ndaj u bëj thirrje të gjithë prindërve, sidomos vajzave, që të vijnë dhe të vaksinohen.”
Mjekët e konsiderojnë këtë vaksinë të domosdoshme, duke theksuar se ajo ndihmon në parandalimin e infeksioneve serioze dhe sëmundjeve që mund të zhvillohen më vonë.
Duke parë ndryshimet dhe përmirësimet shëndetësore që vërehen tek fëmijët e vaksinuar, bluzat e bardha theksojnë se HPV është një vaksinë parandaluese dhe jetësore, që duhet të aplikohet nga çdo prind.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/