E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bullgaria akuzon Rusinë për trafikim të migrantëve përmes Ballkanit Perëndimor

Agjentë të Rusisë janë duke këshilluar migrantët se si të shmangin deportimin nga Britania e Madhe dhe vendet e tjera evropiane, ka deklaruar ministri bullgar i Punëve të Brendshme, Daniel Mitov, para samitit të liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit në Londër, ku një ndër çështjet kryesore është migracioni i paligjshëm përmes Ballkanit Perëndimor drejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Daniel Mitov, tha se regjimi i Vladimir Putinit dhe grupet e së majtës ekstreme po bashkëpunonin me kontrabandistët e njerëzve për të përmbytur Evropën me emigrantë .

 Mitov ka ngritur shqetësime serioze lidhur me rolin e disa organizatave joqeveritare në kontekstin e migracionit të paligjshëm, duke deklaruar se ato “ndoshta pa dashje” po ndihmojnë Rusinë dhe rrjetet kriminale të kontrabandës së njerëzve përmes aktiviteteve të tyre.

Ai i cilësoi këto grupe si “neomarksiste që po përpiqen të justifikojnë veprimet e tyre përmes konstrukteve filozofike ose ideologjike”, duke shtuar se ideologjia e tyre nënkupton “të mbledhim të gjithë njerëzit e varfër nga bota dhe t’i lëmë të vendosen këtu, me liri absolute lëvizjeje, mosekzistim të kufijve e kështu me radhë”.

Mitov paralajmëroi se këto OJQ, në mënyrë të pavetëdijshme, mund të bëhen pjesë e operacioneve të shteteve armiqësore dhe rrjeteve kriminale që kontrabandojnë njerëz ilegalisht në territorin e Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas tij, “flukset e migracionit të paligjshëm janë një instrument për regjimet armiqësore për të destabilizuar Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar”.

Ai i paralajmëroi adoleshentët britanikë që ndihmojnë “grupet neomarksiste” në kufirin Bullgari-Turqi se përballen me burgim dhe gjoba të rënda nëse ndihmojnë migrantët të hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian.

Ai ka shtuar se Bullgaria duhet të sigurojë kufirin e saj sepse “çdo shtëpi ka nevojë për mure” për të shmangur hyrjet e paligjshme.

E sekretarja britanike për çështje të jashtme, Yvette Cooper, ka nënvizuar se është e qartë se migracioni i paligjshëm udhëhiqet nga aktorë shtetërorë armiqësorë që synojnë të destabilizojnë Evropën.

Ndryshe, pavarësisht kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, ajo që është cilësuar “rrugë ballkanike” është rruga e dytë më aktive e migrantëve drejt territorit të BE-së, shpesh përballë rreziqeve serioze për jetën e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›