ILD nis verifikimet për procedurat e ndalimit të avokatit Ulian Barjami

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për procedurat e ndalimit të avokatit Ulian Barjami. ILD bën me dije se sikurse ndodh në një proces normal pune ku institucioni kryen verifikimet me iniciativë, në rastin e ndalimit të avokatit, ku çështja paraqet ndjeshmëri publike, ILD bën me dije se do japë njoftim sapo procesi të përfundojë.
“DJE, që në mëngjes, një ekip inspektimi ishte në Elbasan, bazuar në vendimin e ILD për verifikim me iniciativë të rastit nga informacionet e bëra publike.
Nuk kam bërë njoftim, sepse për ILD ky është një proces normal pune, siç ndodh me çdo rast kur nis verifikim me iniciativë. Por meqë është çështje me ndjeshmëri publike, do ketë një njoftim sapo të përfundojë si proces, siç kemi bërë edhe në të kaluarën”, thuhet në njoftim.
Avokati Ulian Barjami u ndalua tri ditë më parë pas një debati të ashpër me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit. Barjami u lirua nga qelia me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, dy ditë pas ndalimit.
Dhoma e Avokatisë nisi bojkotimin e të gjitha proceseve penale në vend, përfshirë hetimet dhe gjykimet në të gjitha shkallët, si dhe proceset në Gjykatën Kushtetuese, për periudhën nga 20 tetor deri më 25 tetor 2025.
Vendimi erdhi si reagim ndaj ndalimit të avokatit Ulian Barjami, një ngjarje që Komiteti e cilësoi si “tepër të rëndë”.
/rtsh.al/