Buxheti i Sportit 2026, qeveria vendos “filtër” për grantet, nga auditimi i detyrueshëm te pagat e sportistëve

Qeveria ka miratuar rregullat e reja të lojës për mënyrën se si do të shpërndahen paratë e taksapaguesve për sportin shqiptar. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave përcakton kriteret strikte për shpërndarjen e grantit shtetëror për Komitetin Olimpik (KOKSH), federatat dhe organizatat e tjera sportive.
Thelbi i vendimit të ri është transparenca: asnjë qindarkë nuk do të dalë nga buxheti nëse organizatat sportive nuk kanë bilance të certifikuara dhe auditim të jashtëm.
Kush përfiton?
Granti shtetëror do të shkojë për këto entitete kryesore:
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH)
Komiteti Paralimpik dhe Organizata Antidoping
Federatat Sportive Olimpike
Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (KAS)
Kushti kryesor
Qeveria ka shtrënguar rregullat sa i përket llogaridhënies. Për të marrë fonde, çdo organizatë duhet të dorëzojë auditimin e jashtëm të pavarur për fondet e vitit të kaluar. Gjithashtu, ato duhet të kenë:
NIPT aktiv dhe të kenë paguar taksat.
Llogari bankare të dedikuar vetëm për fondet e ministrisë.
Publikim të raporteve financiare në faqet e tyre zyrtare (transparencë për publikun).
Federatat nën lupë
Ndryshe nga KOKSH apo Antidoping që financohen bazë programeve vjetore pa pikëzim, Federatat Olimpike duhet të bëjnë përpjekje të forta për fondet. Ato do të vlerësohen bazuar në:
Rezultatet ndërkombëtare (medalje dhe renditje).
Masivitetin, sa sportistë të regjistruar kanë dhe sa klube anëtare.
Raportin gjinor, sa gra dhe vajza janë në organet drejtuese.
Angazhimin e personave me aftësi ndryshe.
Vendimi specifikon qartë se për çfarë mund të shpenzohet granti. Për herë të parë detajohen zëra si trajtim ushqimor dhe paga për sportistët elitarë dhe trajnerët e ekipeve kombëtare; siguracione shëndetësore për sportistët e kombëtareve; grumbullime stërvitore dhe uniforma; analiza antidoping dhe mbështetje për kërkim shkencor në sport; paga për stafin administrativ (jo më pak se paga minimale).
Ndërsa rregulli i përgjithshëm parashikon që kërkesat për fonde të bëhen në nëntor të vitit paraardhës, për vitin 2026 është bërë një përjashtim. Të gjitha organizatat sportive duhet të dorëzojnë kërkesat e tyre brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Vlerësimi do të bëhet nga një komision i posaçëm brenda ministrisë brenda 30 ditëve.
/rtsh.al/