Përplasje e fortë BE-SHBA, Brukseli ngrin paktin tregtar pas “shantazhit” të Trump për Grenlandën

Marrëdhëniet transatlantike kanë prekur një pikë kritike pasditen e sotme. Parlamenti Evropian ka marrë vendimin drastik për të pezulluar ratifikimin e marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke iu përgjigjur kështu kërcënimeve të Presidentit Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja.
Në qendër të kësaj stuhie gjeopolitike është Grenlanda.
Lajmi u zyrtarizua në Strasburg nga Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Tregtisë Ndërkombëtare. Në një konferencë urgjente për shtyp, Lange deklaroi se Donald Trump ka shkelur hapur paktin e nënshkruar në Skoci korrikun e kaluar.
“Donald Trump po përdor tarifat si mjet presioni politik ndaj nesh për të shitur Grenlandën. Për këtë arsye kemi qenë shumë të qartë: procedura mbetet e pezulluar derisa të ketë qartësi,” theksoi Lange.
Sipas zyrtarit të lartë evropian, lëvizja e Uashingtonit konsiderohet “një sulm i vërtetë ndaj sovranitetit dhe integritetit ekonomik e territorial të Bashkimit Evropian”. Vendimi gëzon mbështetje të gjerë politike, duke u dakordësuar mes Manfred Weber të Partisë Popullore (EPP), socialistëve dhe liberalëve.
Von der Leyen injoron Davosin për Grenlandën
Ndërkohë që tensionet rriten, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë një lëvizje strategjike. Ajo raportohet se ka “kapërcyer” Forumin Ekonomik të Davosit për t’u fokusuar në një kundërpërgjigje konkrete: një plan masiv investimesh të BE-së në Grenlandë, duke sinjalizuar se territori nuk është në shitje dhe se Evropa është e gatshme të forcojë lidhjet e saj strategjike me Arktikun.
Përplasja pritet të përshkallëzohet javën e ardhshme. Të hënën, Parlamenti Evropian do të diskutojë aktivizimin e “instrumentit anti-shtrëngim” (anti-coercion instrument).
Ky mekanizëm ligjor, i cilësuar si “bazuka” e BE-së, është krijuar posaçërisht për t’iu përgjigjur presioneve ekonomike nga vende të treta. Nëse aktivizohet, Brukseli mund të ndërmarrë hapa ndëshkues konkretë ndaj SHBA-së, si:
Rivendosja e tarifave për produktet amerikane (të cilat ishin ngrirë pas marrëveshjes së korrikut).
Përjashtimi i kompanive amerikane nga tenderat publikë në Evropë.
Kufizime të tjera tregtare.
Lange u shpreh optimist se kërkesa për aktivizimin e këtij instrumenti do të miratohet, duke paralajmëruar një periudhë të akullt në marrëdhëniet tregtare mes dy fuqive.
/rtsh.al/