Lufta e Rusisë me Ukrainën-Trump pritet të takohet me Zelenskyn në Davos të Zvicrës

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, Zvicër.
Takimi është planifikuar pas një eventi të “Bordit të Paqes për Gazën” në Davos dhe vjen pas takimeve dypalëshe të Trump me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe udhëheqësit e Polonisë, Belgjikës dhe Egjiptit të mërkurën. Ky zhvillim ndodh teksa negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës kanë ngecur.
Rusia vazhdon sulmet me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Në Kiev, furnizimi me energji elektrike është i paqëndrueshëm, dhe me dimrin që po bëhet jashtëzakonisht i ftohtë, shqetësimet në Kiev po rriten për mbijetesën e vendit pa ndihmë shumë më të madhe nga aleatët perëndimorë, përfshirë SHBA-në, sidomos për mbrojtje ajrore.
I dërguari special Steve Witkoff dhe këshilltari i Trump-it, Jared Kushner do të udhëtojnë në Moskë të enjten për të takuar presidentin rus Vladimir Putin.
Pas kësaj, ata do të vazhdojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe në takimet e grupeve të punës.
Në një intervistë me Bloomberg në Davos të mërkurën, Witkoff tha se rusët i kanë ftuar ata në Moskë.
“Rusët na kanë ftuar të vijmë dhe kjo është një deklaratë e rëndësishme nga ana e tyre. Trump tha se ka ftuar Putinin të bashkohet me “Bordin e Paqes”, ndërsa ushtria ruse vazhdon sulmet ndaj Kievit.
Trump dhe Zelensky u shfaqën optimistë pas takimit në Mar-a-Lago muajin e kaluar, duke thënë se një marrëveshje paqeje me Rusinë ishte afër dhe se pikat kryesore mund të zgjidheshin brenda pak javësh.
Por së fundmi, në një intervistë me Reuters, Trump sugjeroi se Zelensky po pengon paqen.
Fillimisht, SHBA dhe Ukraina e shihnin Davosin si vend për të nënshkruar një marrëveshje ekonomike për prosperitetin e Ukrainës pas luftës.
/rtsh.al/