E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti shtesë, sigurohen vetëm 7 miliardë lekë

 

Deklaratat e Kryeministrit për punë me 4 turne përkthehen në vetëm 17 miliardë lekë investime

Investimet publike edhe gjatë 5 muajve të parë të këtij viti vazhdojnë që të ndjekin trendet e viteve të mëparshme. Punimet në rrugë dhe investime të tjera kanë pasur ritme minimale gjatë pjesës së parë të vitit, duke realizuar vetëm 16 për qind të planit vjetor ose në shifër rreth 16 miliardë lekë. Rreth 130 milionë euro janë investimet që janë realizuar gjatë 5 muajve të para të këtij viti nga qeveria, ndërkohë që deri në fund të vitit zëri i investimeve llogaritet në 820 milionë euro. Një situatë e ngjashme u zhvillua edhe gjatë vitit 2007, ku qeveria u detyruar vetëm në ditët e fundit të vitit të kryejë një rialokim fondesh që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Për këtë ndryshim të buxhetit i duhej edhe kalimi i tij në parlament për të tretën herë brenda një viti. Por qeveria ka deklaruar tashmë se do të kalojë një buxhet tjetër suplementar gjatë muajit korrik në parlament. Berisha e ka vlerësuar këtë buxhet 300 milionë dollarë, ndërsa nga të ardhurat e deritanishme janë mbledhur më shumë se plani vetëm 100 milionë dollarë. Sipas gjithë llogarive qeveria do detyrohet që pjesën tjetër të të ardhurave për këtë buxhet suplementar ta arrijë nëpërmjet alokimit të fondeve.

Rrëshen-Kalimash, tërheq gjysmën e fondeve

Nga 17 miliardë lekë që është fondi i investimeve të realizuara sipas Ministrisë së Financave për 5 mujorin e parë të këtij viti, rreth 8.5 miliardë (gjysma) ka shkuar për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Për këtë rrugë qeveria ka llogaritur që të marrë dhe një borxh prej 230 milionë eurosh me terma tregtarë. Por, pavarësisht fondeve të mëdha që po tërheq investimi në këtë rrugë, punimet gjatë muajve të fundit nuk janë në ritmet e pritura. Shumë akse rrugore që tashmë duhej të kishin marrë formë, nuk kanë nisur nga puna, sipas firmave nënkontraktore që kanë marrë këto akse.

Buxheti shtesë, mungojnë 200 mln USD

Sipas të dhënave që janë vënë në dispozicion nga ana e Ministrisë së Financave, tejkalimet në të ardhura për 5 muajt e parë të vitit 2008 nuk janë më shumë se 7 miliardë lekë. Nga ana tjetër kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se buxheti shtesë do të jetë 300 milionë USD. Nga llogaritë e bëra publike del se është një diferencë prej 200 milionë dollarësh që nuk dihet se ku do të gjendet. Mundësia e vetme për të realizuar këtë buxhet ambicioz të qeverisë mbeten të ardhurat nga privatizimi i kompanisë ARMO. Por ka qenë vetë kreu i qeverisë që ka deklaruar se këto të ardhura nuk do të bëjnë pjesë në buxhetin shtesë për 6 mujorin e dytë të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›