Harruan qelitë hapur, dënohen 2 gardianët e Shënkollit
Shkodër- Gjykata e apelit në Shkodër ka ndryshuar vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Lezhë, për dy gardianët e burgut të Shënkollit, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Gjin Frrok Luli, 43-vjeç me banim në Mamurras dhe Mirash Ndue Lekgega, 37-vjeç, nga Zejmeni i Lezhës, ishin deklaruar të pafajshëm nga gjykata e Lezhës, pasi ishin akuzuar për shpërdorim detyre.
Të dy të akuzuarit kishin qenë gardianë në burgun e Shënkollit, ku ndodhen dhe të paraburgosur të komisariateve të disa rretheve të veriut dhe gjatë kohës që ishin në shërbim, ndërsa shoqëronin të paraburgosur për nevoja personale, kanë harruar hapur dyert e dy qelive.
Si pasojë, një i burgosur është rrahur nga dy të tjerë, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Prokuroria e Lezhës e ka apeluar çështjen në gjykatën e Apelit në Shkodër dhe kjo e fundit ka vendosur deklarimin fajtorë të dy gardianëve dhe dënimin e tyre me nga 6 muaj burgim dhe 300.000 lekë gjobë.
Gjykata e Apelit, për dy gardianët ka aplikuar nenin 59 të pezullimit të ekzekutumit të vendimit për një kohë të caktuar. Kështu dy gardianët e burgut të Shënkollit do të jenë të lirë, por me kusht që në një afat kohor prej 18 muajsh të mos krejnë vepër penale tjetër më të rëndë dhe po aq të rëndë.
Ndërsa gjoba duhet të paguhet prej tyre në një afat kohor 2-vjeçar.