David Hentsell: Lidhja ime e biznesit me Argitën
Ka pak muaj që e njeh por është i bindur se ka takuar ndër njerëzit më të ndershëm në Shqipëri. Të paktën këto janë fjalët e para që të thotë David Hentsell, përfaqësuesi i agjencisë "Best Property Albania", për vajzën e kryeministrit Argita Berisha. Përfaqësuesi i kësaj agjencie që kryesisht merret me shit-blerjet e pasurive të patundshme nuk mohon bashkëpunimin e tij me studion ligjore të vajzës së kryeministrit, por sipas tij ky është një biznes i pastër në të mirë të Shqipërisë. Sipas tij, lidhja e vetme me Argita Berishën është asistenca ligjore që studio e saj jep për klientët e "Best Property Albania". *** Nëse nuk do të bashkëpunonte me vajzën e kryeministrit zor se agjencia "Best Property Albania" që merret kryesisht me shitbblerjet e trojeve do të ishte bërë kaq e njohur. Drejtori i kësaj agjencie, David Hentsell, ka mbi tre vjet që jeton në Shqipëri por deri më tani ka qenë pothuajse i panjohur. Megjithatë londinezi nuk mohon aspak miqësinë e tij me Argita Berishën. Përkundrazi, shpreh opinione vlerësuese për vajzën e kryeministri paçka se dy ditë më parë kjo miqësi është përfolur edhe në Kuvendin e Shqipërisë. "Kam pak muaj që e njoh Argitën dhe gëzoj respektin më të madh sepse është njeri i nder- shëm. Me të kam vetëm marrëdhënie biznesi krejtësisht të ndershëm dhe gjithçka që janë thënë deri më tani janë të gënjeshtra",-të thotë David Hentsell. Sipas tij, studio ligjore që përfaqëson Argita është zgjedhur pikërisht prej tij për shkak të ndershërisë dhe seriozitetit që e përfaqëson. "E vetmja lidhje që unë kam me Argita Berishën është ligjore. Studio e saj është referuar prej meje tek disa klientë tuaj huaj të cilët janë të interesuar jo vetëm të blejnë toka por edhe të investojnë",-thotë Hentsell. E ndërsa pranon bashkëpunimin me studion ligjore të vajzës së kryeministrit duke insistuar se gjithçka është e ndërtuar në bazat e një biznesi të ndershëm, kreu i kësaj agjencie ka mohuar të ketë patur sukses deri më tani. Sipas tij, me gjithë stafin e kualifikuar dhe bashkëpunimin me studion ligjore të vajzës së kryeministrit agjencia nuk ka mundur të shesë një apartament jo më sipërfaqe toke. "Ne jemi një agjenci e sapokrijuar dhe jemi të sigurt që kemi ecur me hapa të ngadaltë por të sigurt. Aktualisht unë jam në bisedime me disa investitorë të rëndësishëm anglezë por deri më tani akoma nuk kemi një marrëveshje. Unë ende nuk kam shitur një apartament dhe jo më të kem siguruar një pasuri aq të madhe sa përflitet. Unë në Shqipëri përdor urbanin dhe nuk qarkulloj me benza të tipit të fundit. Kam ardhur këtu për një biznes të ndershëm sepse Shqipëria t'i ofron të gjitha shanset në këtë fushë",- tha dje drejtuesi i agjesnisë "Best Property Albania". Dy ditë më parë, ka qenë nënkryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Erion Braçe i cili ka akuzuar Argita Malltezin të përfshirë në tregtinë e tokave dhe trojeve në bregdet. Duke iu referuar pikërisht faqes zyrtare në internet "Bestpropertyalbania.com" të kompanisë angleze, Braçe është shprehur se vajza e Kryeministrit, ka shfrytëzuar reputacionin dhe pushtetin e të atit për të ndihmuar nëpërmjet asistencës juridike të zyrës së saj biznesin në fjalë, për të siguruar troje për treg në Durrës dhe Sarandë.