E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërron jetë në Durrës ish-ambasadori gjerman, Werner Daum

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ish-ambasadori i Gjermanisë, Werner Daum ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.

Ai është gjetur i pajetë në një hotel në Durrës.

Policia njoftoi se rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi W. D, 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman).

Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Ish-diplomati ndodhej për një vizitë në Shqipëri, dhe dy ditë më parë, mori pjesë së bashku me Sali Berishën në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo në Kavajë.

Werner Daum shërbeu si ambasador në Shqipëri nga viti 1987 deri në vitin 1990, pikërisht në kohën kur nisi lëvizja kundër regjimit komunist.

Ai hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët, duke dalë kundër udhëzimeve të qeverisë së tij.

Në një intervistë të dhënë më vonë, ai pranoi se bëri këtë gjë qëllimisht, duke e ditur se eksodi masiv i shqiptarëve do sillte edhe rrëzimin e regjimit komunist.

Ish-ambasadori Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i PD, Sali Berisha.

Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›