Cara: Vatër zjarri në Bradashesh, strukturat vendore në terren

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Temperaturat e larta ditët e fundit kanë ndikuar në shtimin e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.
Lidhur me situatën nga zjarret, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara, në një intervistë televizive tha se aktualisht është një vatër zjarri në Elbasan për të cilën është duke u punuar nga forcat zjarrfikëse për ta shuar.
“Kemi një vatër aktive në Elbasan dhe kemi angazhuar disa forca zjarrfikëse për të shuar vatrën e zjarrit, e cila është në Bradashesh. Po punohet për ta vënë në kontroll. Kemi zjarre edhe nga pakujdesia edhe të qëllimshme, kur themi të qëllimshme duhet që të flasin organet kompetente sepse duhet që të kesh prova dhe fakte që të vësh para përgjegjësisë një person, por me ose pa qëllim zjarri duhet që të dënohet me gjob ose me burg”, tha Cara.
Drejtori i shërbimit zjarrfikës, Cara u ndal edhe te qarqet më të prekura nga zjarret në të gjithë territorin e vendit. Ai tha se zjarret me përmasa më të mëdha ditët e fundit kanë qenë në Lezhë dhe në Sarandë.
“Nuk mund të themi që një qark është më i pak i rrezikuar se tjetri, nëse kanë bimësi dhe kullota marrin lehtë flakë, por më të rrezikuara janë qarqet Fier, Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Vlorë, kemi edhe disa qarqe të tjera që kanë masive pyjore. Zjarret më të shumta kohët e fundit i kemi pasur në Lezhë. Edhe në Ksamil dhe në Sarandë patëm zjarr në përmasa të mëdha. Temperaturat janë të larta bimësia është e thatë tani dhe qoftë edhe një cigare të hedhim bimësia merr flakë’, pohoi ai.
Cara tha se strukturat vendore janë të angazhuara për të përballuar situatën.
“Strukturat në nivel vendor janë të angazhuara për të përballuar situatën e zjarreve, ministri i brendshëm pak ditë më parë mbodhi drejtuesit e shërbimit zjarrfikës duke i kërkuar që të bashkëpunojnë dhe të bëjnë planet e punës po theksi është tek parandalimi”, cilësoi Cara.
/e.i//a.f/