E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Celibashi: Rezultatet e votimit elektronik do të publikohen nesër, kërkesë e PD-së

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi mbrëmjen e së dielës, se “rezultatet e votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit, në qendrat e votimit elektronik në Njësinë 10 dhe në Vorë do të publikohen nesër”.

Në konferencën për medie pas mbylljes së procesit të votimit, Celibashi u shpreh se, “pajisjet elektronike e transmetojnë menjëherë rezultatin dhe kjo nuk ka të bëjë me testimin e tyre, por për të ruajtur integritetin e procesit dhe në përmbushje të kërkesës për të shpallur rezultatin pasi të ketë filluar procesi i tabulatimit për qendrat e votimit ku është votuar manualisht”.

“U dakordësua me të gjitha palët politike dhe patëm konsensus që rezultatet e votimit elektronik në Njësinë 10 dhe në Bashkinë Vorë, dhe në kushtet e një skepticizmi të një pjese të politikës, në lidhje me këtë proces, kemi kërkuar që të përmbushim edhe kërkesën për shpalljen e rezultatit të votimit në këto dy qendra pasi të ketë kaluar procesi i tabulimit të rezultatit për qendrat e votimit, apo KZZAZ ku është votuar në mënyrë manuale. Kjo do të thotë që do ta kemi këtë rezultat mëngjesin e së hënës, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit”, tha ai.

Celibashi shpjegoi se, kjo është një kërkesë e PD, teksa nënvizoi se,”qëllimi i këtij projekti pilot (votimi elektronik) më së shumti lidhet me rikonfirmimin e integritetit të përdorimit të kësaj pajisje gjatë procesit të votimit”.

“Nuk ka askush dyshime që pajisja elektronike e transmeton rezultatin menjëherë dhe nuk ka nevojë për ta testuar këtë moment të votimit dhe numërimit. Ajo që është dashur për t’u konfirmuar është ajo që ka të bëjë me integritetin e procesit të votimit nëpërmjet këtyre pajisjeve. Zhvillimi i këtij projekti pilot, këtë ka pasur për qëllim dhe në kushtet kur lehtësisht mund të spekulohet me rezultatin e votimit elektronik, në një kohë kur pjesa dërrmuese e rezultateve nga qendrat e votimit del më vonë, kur do të fillojë procesi pas mesnate, mund të kishte një impakt në këtë proces. Pra për të garantuar integritetin e pjesës dërrmuese të votimit, ndryshe nga votimi elektronik, kemi sakrifikuar transmetimin e menjëhershëm të rezultateve”, tha Celibashi.

I pyetur mbi publikimin e disa rezultateve nga votimi elektronik, Celibashi deklaroi se, “gjatë mbylljes së procesit të votimit në disa qendra votimi, operatorët teknikë që kanë asistuar këtë proces kanë printuar ‘gabimisht’ pasi nuk duhet ta kishin bërë prezantimin e rezultatit dhe, nëse nuk gaboj, janë 2 apo 3 qendra votimi, ndërsa për qendrat e tjera nuk ka publikim të rezultatit dhe askush nuk e di rezultatin në ato pajisje”.

/r.e/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›