Club Med gati për të ndërtuar resortin në Kakome
8 korrik, ora 11:24 – Resorti Francez Club Mediterranee është gati për të ndërtuar kompleksin turistik në bregdetin e Kakomesë pas tre vitesh negociatash. Mes shumë peripecive, problemeve ligjore, kryengritjeve të banorëve e shumë të tjera Club Med ka arritur të sigurojë lejen e ndërtimit të resorit në Kakome.
Ky kompleks përmban 350 dhoma luksi me kapacitet 700 shtretër. Fshati do të shtrihet në një sipërfaqe prej 700 000 metra katrorë dhe do të ketë gjithashtu pishina, fusha sporti, kinema, dyqane etj.
Kompania Riviera e cila pritet të ndërtojë resorin pritet të shpenzojë më shumë se 75 milionë euro.
Projekti filloi pas vendimit që pronarët e tokës të bëhen aksionerë në këtë resort, pas tre vitesh negociata.
Para një jave, KRRT-ja e Qarkut të Vlorës ka miratuar zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit për fshatin turistik të Kakomesë.
Këshilli miratoi me shumicë votash, 12-3, zgjatjen e lejes së ndërtimit për Fshatin Turistik, të Kakomesë. Ky vendim i organit vendimmarrës ne fushën e ndërtimeve ne shkallë qarku, i dha Ok kompanive ndërtuese, për të zgjatur afatin e lejes ndërtimore, leje e cila ishtë kërkuar në qarkun e Vlorës nga vetë firma. Afati kohor i kësaj leje ishte deri në datën 23.6.2007. Punimet e këtij objekti kanë filluar dhe janë ndërprerë për shkak të problemeve gjyqësore midis investitorit dhe pronarëve të tokës.
Mbledhja e muajit korrik është vlerësuar jo pak e ngjeshur nga ana e materialeve të diskutuara, ndërkohë që pjesë e diskutimeve ka qenë plani i zhvillimit të zonës bregdetare të jugut. Me një vendim të vitit 2004 është miratuar detyra e projektimit për shpalljen e konkursit të studimit të bregdetit të jugut dhe sot në KRRT e qarkut janë bërë me dije detaje nga plani i menaxhimit të integruar të zonës bregdetare. Koordinatori i këtij projekti Jamarbër Malltezi ka njohur më gjerësisht me këtë projekt, i cili identifikohet në 8 rajone bregdetare të lidhura me njëra tjetrën. Sipas tij plani i zhvillimit të zonave bregdetare jugore është kryesisht një plan përdorimi i tokës dhe momentalisht nuk përfshin politika gjithpërfshirëse planifikimi.