Unaza e Vogël, pas 6 muajsh përfundon segmenti tjetër
Segmenti i tretë i Unazës së Vogël do të përfundojë pas 6 muajsh. Ky segment skajohet nga rruga “Luigj Gurakuqi” dhe “Rruga e Dibrës” dhe ka një rëndësi të dorës së parë, pasi do të bëjë të mundur transformimin e sheshit “Skënderbej” në një zonë për këmbësorët, duke zgjidhur përfundimisht problemin e trafikut të makinave. Shuma e projektit rehabilitues të rrugës është 42 milion lekë dhe financohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.
Gjatë inspektimit të punimeve Kryebashkiaku Edi Rama ka theksuar përpara gazetarëve rëndësinë e këtij segmenti dhe njëkohësisht e ka kujtuar Kryeministrin të nxitojë me shpronësimet në këtë zonë.
Projekti për Unazën e Vogël respekton Planin Francez për Qendrën e Tiranës. Segmenti i tretë është 260 metra linearë me një gjerësi rruge prej 15,5 metrash. Trotuarët do të jenë 4 metra në të dyja anët e rrugës, ndërsa trafiku në këtë rrugë do të jetë me një sens antiorar.
Janë parashikuar dy korsi shpejtësie për lëvizje si dhe një korsi për transportin publik. Gjithashtu për herë të parë në Shqipëri do të ketë një korsi emergjence, 5 metra të gjerë në krahun e djathtë. Në këtë segment janë përfshirë tre kryqëzime të trajtuara me semaforë. Firma e cila kryen punimet është Fusha.