DUBLIN – Irlanda kërkon ulje të menjëhershme të tensioneve midis Iranit dhe Izraelit

DUBLIN, 20 qershor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit politikë irlandezë kanë bërë thirrje për një ulje të menjëhershme të tensioneve midis Izraelit dhe Iranit dhe për rifillimin e bisedimeve diplomatike.
“Irani duhet ta bëjë të qartë se nuk do të vazhdojë me pasurimin e mëtejshëm të uraniumit”, tha kryeministri irlandez, Michael Martin.
Irani dhe Izraeli kanë goditur territorin e njëri-tjetrit për një javë, duke thelluar krizën në Lindjen e Mesme.
Izraeli tha se nisi sulmin për të parandaluar Iranin të zhvillonte armë bërthamore.
Irani ka këmbëngulur se programi i tij bërthamor është paqësor, por është i vetmi shtet jo i armatosur me armë bërthamore që pasuron uranium deri në 60%, shumë më tepër se nivelet e kërkuara për centralet – dhe një hap i shkurtër teknik larg niveleve të armëve prej 90%.
Pas sulmit me raketa në një spital në Izraelin jugor, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz tha se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, “absolutisht nuk duhet të vazhdonte të ekzistonte”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet gjithashtu se po shqyrton përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – duke synuar një strukturë të pasurimit të uraniumit në Iran.
I pyetur se çfarë roli mund të luante Irlanda në konfliktin Izrael-Iran, Martin tha se Irlanda dhe Bashkimi Evropian do të bënin thirrje për vetëpërmbajtje dhe ulje të tensioneve.
“Bota ka nevojë për stabilitet dhe paqe – dhe dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjen bërthamore me Iranin”, tha kryeministri për Radion RTE.
“Irani ka qenë një aktor i keq në Lindjen e Mesme për një kohë mjaft të gjatë në lidhje me mbështetjen e Hezbollahut, Hamasit, Huthëve – është një shtet teokratik autokratik”, theksoi ai.
“Mendoj se Irani duhet ta bëjë të qartë se nuk do të vazhdojë me pasurimin e mëtejshëm të uraniumit, apo të avancojë me zhvillimin e kapacitetit të bombës bërthamore”, shtoi ai. //a.i/