BERLIN – Merz dhe Erdogan diskutojnë përshkallëzimin e konfliktit Izrael-Iran

BERLIN, 20 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit Izrael-Iran – disa orë para takimit të ministrave të Jashtëm evropianë me homologët e tyre iranianë, në Gjenevë.
“Të dy udhëheqësit informuan njëri-tjetrin rreth përpjekjeve të tyre të ndërmjetësimit dhe premtuan të vazhdojnë të koordinohen dhe të kontaktojnë me njëri-tjetrin”, tha sot zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin.
Erdogan theksoi se situata mund të zgjidhej vetëm përmes negociatave.
Konsultimet midis shefave të politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe dhe homologut të tyre iranian, Abbas Araghchi do të zhvillohen sot pasdites në Zvicër.
Johann Wadephul i Gjermanisë, Jean-Noël Barrot i Francës dhe sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy synojnë të shqyrtojnë mundësinë – nëse Teherani është i përgatitur të heqë dorë nga programi e tij bërthamor.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas gjithashtu do të marrë pjesë në bisedime.
Merz ka qenë aktiv në aspektin diplomatik, pasi dje zhvilloi një bisedë telefonike me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Presidenti Erdogan theksoi se pasojat e kësaj spiraleje dhune, të shkaktuar nga sulmet e Izraelit, mund të ndikonin negativisht si në rajon ashtu edhe në Evropë, veçanërisht në lidhje me çështjet e mundshme të emigracionit dhe rrjedhjet bërthamore”, tha zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius. //a.i/