“Dasma e Skënderbeut dhe Donikës” – Traditë kulturore dhe promovim për turizmin në Vaun e Dejës

Qytetarë, artistë dhe përfaqësues institucionesh u bënë pjesë e “Dasmës së Skënderbeut dhe Donikës”, një organizim që risolli një moment historik përmes kostumeve tradicionale dhe interpretimit artistik.
“Dasma e Gjergj Kastriotit me Donika Arianitin nuk është thjesht një moment i historisë, por një simbol i identitetit tonë kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, i bëj thirrje institucioneve që ta trajtojnë me seriozitet dhe ta ruajnë si një trashëgimi të çmuar të kulturës dhe historisë sonë. Këtu duhet t’i bëj thirrje institucioneve, Ministrisë së Kulturës dhe çdo faktori që mund të ndihmojë. Mos e lini vetëm këtë trashëgimi. Ndihmoni në rindërtimin dhe ruajtjen e kësaj kishe unike.” – Kristian Shkreli, Kryetar i Bashkisë Vau-Dejës
Aktiviteti u vlerësua edhe si një mundësi për promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore të zonës.
“Bashkia ka bërë një organizim shumë të mirë. E kisha me shumë qejf që ta shikoja këtë dasmë që është edhe një mishërim shumë i mirë i gjithë vlerave, traditave dhe historisë që ka Vaudejës.” – Enea Karakaçi, Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës
Organizatorët theksuan rëndësinë e përcjelljes së vlerave historike dhe familjare te brezat e rinj.
“Ky grup artistësh dhe bashkëpunëtorësh na rikthen në kohë duke na bërë të prekshme ato ngjarje që përndryshe do të ngeleshin vetëm faqet e librave të historisë. Historia do të thotë që nuk lexohet më, por ajo jetohet.” – Dom Mark Shtjefni, Meshtar
“Dasma e Skënderbeut dhe Donikës” po shndërrohet në një festë identiteti, duke e pozicionuar Vaun e Dejës si një pikë të rëndësishme të turizmit kulturor.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/